Ministria e Sportit dhe Rinisë ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me 39 federata sportive për vitin 2026. Ky aktivitet ka shënuar formalizimin e mbështetjes institucionale për zhvillimin e sportit në vend.
Ministri Blerim Gashani ka theksuar se federatat sportive janë partnerë kyç në këtë rrugëtim dhe mbartin rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit.
Ai ka nënvizuar se Ministria do të vazhdojë të jetë në përkrahje të tyre, duke kërkuar standarde të larta profesionalizmi, përkushtimi dhe arritje konkrete në secilin sport.
Sipas tij, përmes këtyre memorandumeve po konkretizohet mbështetja financiare në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro, në bazë të kategorizimeve të sporteve. Ai ka shtuar se kjo mbështetje synon të forcojë qeverisjen në sport, të rrisë performancën e sportistëve dhe të promovojë një shoqëri më aktive dhe të shëndetshme.
Gashani ka theksuar gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies, duke vlerësuar se besimi i qytetarëve ndërtohet përmes punës së ndershme dhe raportimit të hapur, si standard i përbashkët për të gjitha federatat.










