Ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Ervin Demo dënoi sot aktet e dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike e private gjatë protestës në Tiranë.
Në një reagim Demo u shpreh se ngjarjet e sotme nuk përfaqësojnë kërkesat e studentëve, ndërsa theksoi se qeveria është e gatshme të vijojë dialogun për përmirësimin e arsimit të lartë.
“Sot, e gjithë Shqipëria pa se në emër të studentëve, politika më e vjetër e këtij vendi, e cila jep shpirt po nuk heq dorë, foli me gjuhën e shkatërrimit, flakëve, bastisjeve të pronës publike dhe private”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se në aktet e dhunës janë përfshirë edhe aktorë të huaj, të cilët kanë vepruar përmes rrjeteve sociale.
“Jo vetëm ata që sot hodhën gurët me duart e të verbërve që kishin nxjerrë përpara, po edhe duart dashakëqia të të huajve, që përmes rrjeteve sociale janë futur në këtë vend qysh në qershor, u bënë bashkë”, shkroi Demo.
Ministri u ndal te studentët, veçanërisht ata të mjekësisë, duke theksuar se qeveria nuk i konsideron kundërshtarë, edhe kur ata kanë qëndrime të ndryshme politike.
“Si dikush që në politikë ka ardhur nga auditori i Universitetit dhe që nuk ka ndërmend të sillet si profesor sonte, dua t’u them studentëve që të përfshirë në këtë vorbull, në radhë të parë atyre të mjekësisë, të cilët vijnë nga radhët e nxënësve më të mirë: Unë, Kryeministri, qeveria jonë, Partia Socialiste, kemi qenë dhe jemi gjithnjë me ju dhe për ju! Edhe kur ju nuk jeni me ne, nuk votoni për ne apo mendoni ndryshe nga ne, ne jemi këtu për ju! Sepse ne nuk ju shohim kurrsesi në asnjë rast e për asnjë arsye si kundërshtarë, po vetëm si trashëgimtarë të një stafete kombëtare që nesër do të jetë e juaja”, u shpreh Demo.
Ai shtroi pyetjen se çfarë Shqipërie duan studentët të trashëgojnë dhe u bëri thirrje të shprehin kërkesat përmes dialogut.
“Qeveria është gjithnjë e hapur për ju, Pakti për Universitetin ka lindur falë një proteste të paraardhësve tuaj në auditore dhe është një libër i hapur, për të shkruar kapituj të tjerë, me dialog jo me gurë. Nëse doni progres më të shpejtë, kjo është rruga dhe jo ajo e 48 orëve të fundit, të cilën e kanë projektuar mendje të mbrapshta që s’kanë asnjë lidhje me ju”, deklaroi ministri.
Demo iu drejtua edhe personave që kanë kryer zjarrvënie dhe kanë shkatërruar pronën publike e private, duke paralajmëruar përgjegjësi ligjore.
“Zjarrvënësve dhe shkatërruesve të sotëm të pronës publike e private, u them tërhiquni sa nuk është tepër vonë, sepse mes entuziazmit të shkatërrimit në një turmë me maska dhe përgjegjësisë individuale para ligjit, kjo e dyta mund të vonojë po nuk do të harrojë”, theksoi ai.
Ministri falënderoi punonjësit e Policisë së Shtetit për mënyrën e reagimit gjatë protestës, ndërsa kritikoi mënyrën se si, sipas tij, disa media kanë pasqyruar ngjarjet.
“Të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit u them sot faleminderit, për profesionalizmin dhe vetëpërmbajtjen, në kushte tejet të vështira provokimesh të pafundme, si edhe nën një trysni krejt të pandershme mediatike, ku qimja e policisë bëhet tra dhe trau i maskave të dhunshme bëhet e student!”, shkroi Demo.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Tiranës, ai kërkoi durim përballë situatës së krijuar, duke theksuar se pamjet e zjarreve pranë ministrive nuk duhen interpretuar si dobësi e shtetit.
“Qytetarëve të Tiranës u them ju lutem durim, pavarësisht se flakët në dyert e ministrive që nuk janë parë në këtë qytet as në krizat e mëdha historike, mund të duken si dobësi e shtetit. Jo nuk janë, kush i ka porositur ato flakë i ka bërë llogaritë gabim, duke synuar të na tërheqë në një skenar ogurzi për Shqipërinë, që ne do ta çmontojmë me qetësi dhe durim”, deklaroi ministri.
Në përfundim të reagimit, Demo tha se qeveria disponon më shumë informacion sesa mund të bëjë publik në këtë moment dhe shprehu bindjen se ngjarjet nuk do ta kthejnë vendin pas.
“Dimë shumë më tepër se sa mund të ndajmë me ju sonte, por rëndësi ka që ju ta dini se kjo orvatje e dhunshme s’ka asnjë shans ta kthejë Shqipërinë mbrapa, as në duart e liga të atyre që e kanë gatuar dhe as në kohën e zymtë të shëmtisë që na është rishfaqur si fantazëm e të kaluarës”, përfundoi Demo.











