Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka paralajmëruar se do të kërkojë zyrtarisht ndalimin e koncertit të këngëtares serbe Jelena Karleusha në Sarajevë, e njohur për mbështetjen që i ka dhënë pushtetit në Serbi dhe për deklaratat e saj kontroverse lidhur me çështje politike e kombëtare.
Karleusha pritet të performojë më 8 gusht në klubin Aqua në Sarajevë, por Konakoviq ka bërë të ditur se do t’i kërkojë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës që ta ndalojë aktivitetin në përputhje me Ligjin për Tubimet Publike.
“Do t’i kërkoj MPB-së së Kantonit të Sarajevës që ta ndalojë këtë koncert, sepse bëhet fjalë për një person, paraqitjet e të cilit nxisin urrejtje kombëtare dhe fetare”, ka deklaruar Konakoviq.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai theksoi se Sarajeva nuk duhet të tolerojë më ngjarje të tilla dhe se ka ardhur koha për të vendosur kufij të qartë ndaj atyre që, sipas tij, relativizojnë krimet dhe fyejnë viktimat.
Konakoviq u është përgjigjur paraprakisht edhe kritikëve që mund ta akuzojnë se po merret me tema estrade, duke theksuar se çështja nuk ka të bëjë me muzikën, por me mbrojtjen e dinjitetit të shtetit dhe të viktimave të luftës.
“Mos thoni se kjo nuk është punë e ministrit të Punëve të Jashtme dhe mos shkruani se nuk duhet të merrem me këto tema. Po reagoj ndaj një dukurie ku mohuesit e gjenocidit falen dhe lejohen të na poshtërojnë vazhdimisht. Po reagoj ndaj përpjekjeve për ta normalizuar një sjellje të tillë”, ka deklaruar ai.
Ministri boshnjak shtoi se reagimi i tij është edhe një mesazh për të gjithë ata që ndajnë qëndrime të ngjashme për të kaluarën e Bosnjë e Hercegovinës.
“Po reagoj që të gjithë ata që bëjnë të njëjtën gjë ta kuptojnë se me ne nuk mund të sillen në këtë mënyrë. Po reagoj sepse nuk dua që dikush të poshtërojë dhe ofendojë popullin tim dhe vuajtjet tona”, tha Konakoviq.
Në fund, ai theksoi se, ndonëse ka shumë obligime të tjera shtetërore, po aq e rëndësishme është ruajtja e krenarisë dhe moslejimi i normalizimit të sjelljeve që, sipas tij, ofendojnë viktimat dhe dëmtojnë dinjitetin e Bosnjë e Hercegovinës. /Klix










