Për ruajtjen e vendit të punës, nevojitet edhe shëndet i mirë, e që nuk është e lehtë të mbahet pa sigurim shëndetësor.
Këtë brengë thotë se ka Arsimi – 51 vjeç, pjesëtar i Policisë së Kosovës nga viti 2002 – i cili kurrë nuk ka pasur sigurim shëndetësor.
Arsimi – emër i vendosur nga redaksia e REL-it për t’i mbrojtur identitetin – thotë se gjatë dy dekadave të fundit ka pasur fatin të ketë disa probleme shëndetësore, përfshirë edhe një arrest kardiak.
Trajtimin pas tij kujton se e ka bërë në një institucion privat shëndetësor në Maqedoninë e Veriut, pasi në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) thotë se është futur në listë të pritjes për operacion.
“Operimi, të gjitha kontrollet paraprake dhe pas operimit më kanë kushtuar afër 15 mijë euro. Këto i kam paguar vetë, me familjarët e mi… Paratë i kemi grumbulluar ashtu siç kemi mundur”, thotë ai.
Paga e tij si polic është rreth 800 euro në muaj.
Ai thotë se nuk arrin të kursejë për rastet kur mirëmbajtja e shëndetit kërkon kosto më të lartë, meqë është edhe mbajtës i familjes së tij 5-anëtarëshe.
“Neve, nëse e humbim shëndetin gjatë punës policore, me kalimin e kohës na shkëputet edhe kontrata nga Policia e Kosovës, si të paaftë për punë”, thotë Arsimi.
Qytetarët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore, pos ata që i marrin nga kompanitë private.
Shërbimet në institucione publike të shëndetit janë falas.
Kosova e ka Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i cili mbikëqyret nga Qeveria e vendit, dhe ai i mbulon shpenzimet për ato shërbime që nuk kryhen në institucione publike. Megjithatë, pacientët duhet të presin me javë, nëse jo muaj, derisa i kalojnë të gjitha procedurat për sigurimin e të hollave, ndaj shumë prej tyre, si Arsimi, bëjnë zgjidhje vetë.
Për sigurimet shëndetësore është folur e stërfolur me vite, janë miratuar ligje e janë ndryshuar ligje, por ato nuk janë ofruar kurrë.
Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, garuesit nuk e kanë lënë pa i përmendur, duke dhënë premtime e afate për funksionalizimin e tyre.
Çka kanë premtuar partitë politike për sigurimet shëndetësore?
Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër, ka thënë se “rruga drejt funksionalizimit përfundimtar të sistemit të sigurimeve shëndetësore”, do të hapet “pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për sigurime shëndetësore dhe kompletimit të sistemit informativ shëndetësor”.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar këtë ligj në dhjetor të vitit 2024, por ai nuk ka hyrë ende në fuqi dhe nuk dihet se kur do të hyjë.
Ligji parasheh që për financimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, punëdhënësit dhe punonjësit të paguajnë nga 3.5 për qind të pagës bruto të punonjësit, apo në total 7 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës, në anën tjetër, është zotuar se do ta plotësojë dhe përmirësojë legjislacionin primar dhe sekondar, për të filluar pastaj me zbatimin e sigurimeve shëndetësore.
Kjo parti i ka përmendur në mënyrë të veçantë policët, zjarrfikësit e forcat e tjera të sigurisë, duke thënë se “do të ofrojë sigurim të plotë shëndetësor dhe jetësor” për ta.
Sipas programit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, funksionalizimi i skemës së sigurimeve shëndetësore do të bëhet që në vitin e parë të qeverisjes së saj.
“Shërbimet e vitit të parë të fondit do të mbulohen nga një buxhet i ndarë nga buxheti qendror”, thuhet në programin e LDK-së.
Aty sqarohet se për këtë fond është paraparë “të ndahen 140 milionë euro për mbulimin e barnave dhe shërbimeve për qytetarët” .
Mbledhjen e premiumeve apo kontributeve prej 3.5 për qind të pagës bruto të punëtorëve dhe 3.5 për qind të punëdhënësve, LDK-ja e ka paraparë në vitin e dytë të qeverisjes.
Zotime për sigurimet shëndetësore ka bërë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke thënë se do të krijojë një fond të posaçëm për zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.
Kjo parti ka paraparë “sigurimin e buxhetit dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët”, si dhe “fillimin e pagesës së sigurimit shëndetësor me 1.5 për qind deri në 2.5 për qind të pagës bruto për të punësuarit dhe punëdhënësit”.
A mund të realizohen këto premtime?
Për drejtuesin e Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra, premtimet e partive politike për sigurimet shëndetësore janë të ngjashme me ato të zgjedhjeve të kaluara, që kanë mbetur pa u realizuar.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kodra thotë se ekzistojnë disa arsye përse partitë politike nuk mund ta funksionalizojnë sistemin e sigurimeve shëndetësore brenda mandatit të ardhshëm qeverisës 4-vjeçar.
Kryesorja nga to është se struktura legjislative e sigurimeve shëndetësore, sipas tij, nuk është e rregulluar.
“Do të thotë, e kemi një ligj, por nuk kemi udhëzime administrative”, thotë ai.
Sipas Kodrës, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore punon po ashtu me staf të limituar prej rreth 50 punëtorësh, ndërsa do të duheshin rreth 400 syresh.
As premiumet e caktuara në Ligjin për sigurime shëndetësore për t’u paguar si kontribute nga punëtorët dhe punëdhënësit, sipas tij, nuk janë reale.
“Nuk dihet saktë se sa para do të na duhen për t’i mbuluar nevojat shëndetësore. Fillimisht, duhet të blihen shërbimet me buxhetin aktual të shëndetësisë. Kur të vendosim t’i blejmë ato, atëherë na del se sa na kanë kushtuar dhe atëherë fillojmë i mbledhim premiumet”, shpjegon Kodra.
Profesori për politika dhe sistem shëndetësor të Kosovës, Liridon Bllaca, është po ashtu skeptik.
Sipas tij, mbledhja e kontributeve të detyrueshme, siç parashihet me Ligjin për sigurimet shëndetësore, e që është edhe premtim i partive politike, “është model gjerman i sistemit të sigurimeve shëndetësore”.
Zbatimi i këtij modeli, thotë ai, është shumë i vështirë ose i pamundshëm.
“Duke qenë se sektori joformal në Kosovë ekziston dhe papunësia është e lartë, atëherë si mund t’i mbledhin nga 3.5 për qind të mjeteve? Për t’u zbatuar ky sistem i sigurimeve shëndetësore, duhet të garantohet një stabilitet financiar, një ekonomi e fortë, bashkë me një treg pune formal”, thotë Bllaca për Radion Evropa e Lirë.
Sipas mendimit të tij, modeli më i mirë për financimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore do të ishte “sistemi i një paguesi të vetëm”.
“Në këtë sistem, Qeveria e Republikës [së Kosovës] është financuesi kryesor i kujdesit shëndetësor. Fondet apo mjetet financiare do të mblidheshin kryesisht prej taksave të përgjithshme, siç është TVSH-ja. Gjithashtu, edhe nga taksat mbi të ardhurat, apo edhe taksat tjera që do të mund t’i përcaktonte Qeveria”, thekson Bllaca.
Për realizimin e këtij modeli, ai thotë se nevojiten edhe kuadro të reja, të përgatitura profesionalisht dhe me integritet të lartë etik.
Historia e sigurimeve shëndetësore
Kosova ka miratuar një ligj për sigurimet shëndetësore në vitin 2007, por ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e ka nënshkruar atë.
Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kanë qenë vetë qeveritë e Kosovës ato që e kanë tërhequr ligjin, për shkak të implikimeve buxhetore.
Kuvendi i Kosovës ka arritur ta miratojë ligjin e ri për sigurime shëndetësore në vitin 2014, mirëpo as ky ligj nuk ka gjetur zbatim.
Zbatimit të tij është thënë se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh për mbledhjen e fondeve, e cila do të niste nga 1 korriku i vitit 2017.
Atëkohë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 17 milionë euro, por, më pas, këto mjete janë tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.
Deri vitin e kaluar, kur është miratuar Ligji i ri për sigurime shëndetësore, nuk ka pasur ndonjë hap tjetër sa i përket kësaj mase.
Nëse do të ketë lëvizje përpara pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mbetet për t’u parë.
“Unë besoj shumë pak, për të mos thënë fare, se do të ketë diçka në këtë drejtim, për sa u përket sigurimeve shëndetësore për Policinë e Kosovës. Nëse kam jetë, besoj se do të dal në pension pa sigurim shëndetësor”, përfundon Arsimi./Radio Evropa e Lirë