Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka uruar drejtuesit e institucioneve të Shqipërisë me rastin e 17-vjetorit të anëtarësimit të vendit në NATO.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka shprehur nder dhe krenari për të qenë shqiptar dhe për shërbimin e tij me forcat shqiptare në misione ndërkombëtare, si dhe për vlerësimin që ka marrë nga institucionet shqiptare.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Sot është një ditë krenarie për Shqipërinë dhe për gjithë kombin shqiptar. 17 vite në NATO janë dëshmi e përkushtimit për të qenë krah për krah me aleatët. Tani është koha që të gjithë së bashku të mbështesim Shqipërinë në hapin tjetër, integrimin në BE,” ka shkruar Mehaj, duke uruar Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama, qeverinë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë arritje historike./teve1.info/







