Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vitit 2026 tregojnë një rënie të numrit të votave për shumicën e partive kryesore politike në Kosovë, krahasuar me zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit 2025.
Rënia e votave lidhet edhe me pjesëmarrjen më të ulët të qytetarëve në procesin zgjedhor, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e subjekteve politike.
Lëvizja Vetëvendosje mbetet partia me më së shumti vota, por është edhe subjekti që ka pësuar humbjen më të madhe numerike. Nga 433.394 vota sa kishte marrë në zgjedhjet e dhjetorit 2025, këtë herë ka siguruar 297.286 vota, ose 136.108 vota më pak.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka regjistruar rënie. PDK-ja ka kaluar nga 184.318 vota në 145.873 vota, duke humbur 38.445 vota krahasuar me zgjedhjet e kaluara.
Ndryshe nga dy partitë më të mëdha, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje. Sipas rezultateve preliminare, LDK-ja ka marrë 121.956 vota, që janë 2.755 më shumë se në zgjedhjet e vitit 2025, kur kishte fituar 119.201 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ruajtur pothuajse të njëjtin nivel mbështetjeje elektorale. AAK-ja ka marrë 49.693 vota, vetëm pesë më pak se në zgjedhjet e mëparshme, kur kishte siguruar 49.698 vota.
Ndërkohë, Lista Serbe rezulton me një rritje të lehtë të votave. Nga 42.235 vota në vitin 2025, ajo ka arritur në 42.761 vota në zgjedhjet e fundit, duke fituar 526 vota më shumë.
Megjithëse rezultatet aktuale janë ende preliminare dhe nuk përfshijnë votat e diasporës, votat me kusht dhe kategoritë e tjera të veçanta, të dhënat e deritanishme tregojnë një ndryshim të dukshëm në mobilizimin elektoral të partive dhe votuesve krahasuar me zgjedhjet e kaluara.







