Qeveria e Kosovës ka njoftuar se takimi është mbajtur pas situatës së krijuar në veri dhe incidenteve të fundit të shkaktuara nga grupet kriminale.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit dhe incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë, e të cilat me të gjitha mjetet në dispozicion po veprojnë kundër Rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës. U tha se ky kërcënim dhe këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë”, thuhet në njoftim.
Në mbledhje është riktheksuar se Policia e Kosovës i ka gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar, porse po pritet veprimi i KFOR-it.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it.U theksua se brenda këtyre 17 ditëve që nga ngritja e barrikadave ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por siç dihet tashmë, janë në pritje të veprimeve nga KFOR-i.
Në fund të njoftimit thuhet se “Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.