Anëtari i LDK-së nga Prizreni, Xhavit Ukaj ka reaguar pasi u la jashtë listës për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ukaj ka shkruar se ai u la jashtë listës pasi siç thotë ai, me emrin e tij nuk u pajtuan ata që ‘erdhën sot në LDK’.
“Me propozimin e Degës së LDK-së në Prizren dhe me unanimitet të plotë, u propozova që të jem pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, ata që erdhën sot në LDK nuk u pajtuan që unë të jem pjesë e asaj liste, përkundër faktit që gjithmonë, pa asnjë interes personal dhe pa asnjë çmim, jam angazhuar për LDK-në në kohët më të vështira të saj”, ka shkruar Ukaj.
Postimi i plotë:
Të dashur anëtarë, veprimtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, qytetarë të nderuar,
Me propozimin e Degës së LDK-së në Prizren dhe me unanimitet të plotë, u propozova që të jem pjesë e listës për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit. Megjithatë, ata që erdhën sot në LDK nuk u pajtuan që unë të jem pjesë e asaj liste, përkundër faktit që gjithmonë, pa asnjë interes personal dhe pa asnjë çmim, jam angazhuar për LDK-në në kohët më të vështira të saj.
Pikërisht për këtë, e ndjej obligim moral dhe politik të flas hapur për një zhvillim me të cilin nuk pajtohem dhe që, sipas bindjes sime, nuk i shërben frymës së vërtetë të LDK-së.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm kam votuar kundër që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës. Jo nga inati personal dhe jo sepse kam qenë kundër bashkimit. Përkundrazi, gjithmonë kam qenë që LDK të bashkohet dhe të ecim të gjithë bashkë. Por kam besuar dhe vazhdoj të besoj se bashkimi duhet të jetë i vërtetë — një bashkim që respekton dhe vlerëson ata që kanë qëndruar pranë LDK-së në çdo kohë, sidomos në ditët më të vështira.
Sepse vetëm kur respektohen vlerat, sakrifica dhe besnikëria, atëherë mund të ndërtohet një bashkim i sinqertë dhe i qëndrueshëm.
Ky nuk është bashkim. Bashkimi ndërtohet duke respektuar njerëzit që i kanë qëndruar pranë LDK-së në ditët më të mira dhe në ditët më të vështira. Ata që nuk u larguan kurrë. Ata që nuk e tradhtuan asnjëherë.
Fakti që pas gjithë kontributit tim nuk u konsiderua e arsyeshme që unë të jem pjesë e listës, natyrisht se lë zhgënjim. Jo për shkak të një pozite, por për mënyrën se si po trajtohen njerëzit që për vite kanë qenë në terren, pranë qytetarëve dhe pranë LDK-së.
Megjithatë, unë nuk kam qenë dhe nuk jam në politikë për interesa personale. LDK për mua nuk është interes i momentit, por bindje, identitet dhe shtëpi politike.
PRANDAJ, EDHE NË KËTË SITUATË, NUK LARGOHEM. NUK DORËZOHEM. NUK TRADHTOJ.
Në këto zgjedhje do të jem përkrah atyre që i kanë qëndruar LDK-së besnikë në çdo kohë. I ftoj të gjithë anëtarët, aktivistët dhe simpatizantët që të angazhohen fuqishëm për LDK-në dhe të votojnë njerëzit që gjithmonë kanë punuar për LDK-në, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.
Besnikëria nuk matet kur gjithçka shkon mirë. Besnikëria dëshmohet pikërisht atëherë kur ke arsye të largohesh, por zgjedh të qëndrosh.
DHE UNË ZGJEDH TË QËNDROJ.
Sepse LDK ishte, është dhe mbetet shtëpia ime e vetme politike.




