Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka hapur konkurset për mbështetje financiare për studentët e doktoratës brenda dhe jashtë vendit, si dhe për kërkuesit shkencorë që ndjekin programe postdoktorale jashtë vendit.
Sipas njoftimit të ministrisë, konkurset janë hapur në përputhje me Programin Kombëtar të Shkencës, me qëllim të mbështetjes së kërkuesve të rinj, zhvillimit të kapaciteteve kërkimore dhe avancimit të shkencës.
Mbështetja financiare do të ofrohet përmes tri skemave të bursave: 3,000 euro për studimet e doktoratës brenda vendit, 8,500 euro për studimet e doktoratës jashtë vendit dhe 10,000 euro për hulumtime postdoktorale.
MASh bën të ditur se, për herë të parë, po ofron mbështetje të dedikuar për studentët e doktoratës në institucionet vendore.
Sipas ministrisë, kjo nismë synon të krijojë mundësi më të mira për zhvillimin akademik dhe profesional të studiuesve të rinj, të nxisë përsosmërinë shkencore, të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të rrisë cilësinë e kërkimit shkencor në vend.
“Fuqizimi i hulumtimit dhe inovacionit për institucionet e arsimit të lartë do të jenë pjesë thelbësore të Strategjisë së re për arsim 2035+, me synim të adresimit të nevojave të lidhjes së Universitetit me zhvillimin e vendit dhe prioriteteve shtetërore”, theksohet në njoftim.
Ministria ka ftuar të gjithë kandidatët e interesuar që të shqyrtojnë kriteret dhe kushtet e aplikimit dhe të aplikojnë brenda afateve të përcaktuara në konkurset përkatëse./teve1.info/







