Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se nuk informacione që Izraeli nuk po lejon nisjen e ndërtimit të një baze ushtarake ku do të qëndronin trupat ndërkombëtare, përfshirë ushtarë nga Kosova dhe Maroku.
Për një gjë të tillë ka raportuar The Guardian, por Maqedonci ka thënë se ata kanë informacione për përgatitjet që po bëhen.
Madje ai ka thënë se personeli i FSK-së është ndër më të vlerësuarit nga komanda e ShBA-së.
“Këtë informacion nuk e kam, ne vazhdimësi kemi pas informacione për përgatitjet që po bëjnë njësitë tona, bashkë me ShBA-në, për vendosje. Mund të them që personeli jonë është ndër më të vlerësuarit nga komanda e ShBA-së në Lindjen e Mesme. Janë ftuar që të jenë pjesë edhe të vendimmarrjes”, ka thënë Maqedonci në “InfoNata” në Tëvë1.
Sipas raportimit të gazetës britanike The Guardian, baza e planifikuar do të shërbente për vendosjen e përkohshme të 150 ushtarëve ndërkombëtarë, si pjesë e një force më të gjerë prej 500 trupash nga Maroku dhe Kosova, të cilët tashmë janë dërguar në kuadër të këtij angazhimi.
Kontrata për ndërtimin e bazës iu dha në gusht kompanisë amerikane Arkel International, me seli në Luiziana. Megjithatë, dy muaj më vonë, punimet ende nuk kanë nisur, pasi Izraeli nuk po lejon hyrjen e kontraktuesve dhe kamionëve në Gaza.
Një person me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje i ka thënë The Guardian se pa lejen e Izraelit, projekti nuk mund të vazhdojë.
Kosova është pjesë e Bordit të Paqes së presidentit amerikan Donald Trumpit për vendosjen e një force ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza. FSK ka dërguar kontingjentin e parë në Gaza.







