Në seancën e sotme ku po diskutohet për kater vjet qeverisje të Albin Kurtit, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është kritikuar nga opozita për çështjen e ushqimit për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Lidhur me ketë, Maqedonci tha se në asnjë moment ushtarët e Kosovës nuk kanë mbetur pa ushqim.
Sipas tij koncepti i ri i qëndrueshmërisë ofron ushqim më kualitet me kosto më të ulët.
“Asnjëherë nuk kemi pasur mbetje të ushtarëve pa bukë, në asnjë rast gjatë kësaj kohe dhe mua po më vjen keq seriozisht për këtë shkëputjen time që ju e keni me ushtarët duke qenë edhe për shkak të kaluarës tuaj edhe me gjendjen në ushtri. Në asnjë moment, në asnjë rast ushtarët e Kosovës nuk kanë mbetur pa ushqim. Në asnjë moment dhe në asnjë rast nuk ka pasur të shërbyer ushqim i cili nuk ka qenë në përputhje me standardet që kërkohet për ushqyerjen e ushtarëve. Normalisht ka pasur një vështirësi në ditët e para kur kemi ndryshuar konceptin e ushqimit dhe kjo ka ardhur për arsyen se kemi bërë ndërprerjen e një fenomeni që ka dëmtuar për vite të tëra ushtrinë atë të dhënies së kontratave emergjente”, tha ai.
Pas tij reagoi edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili tha se njoftimin për mungesë të ushqimit e kanë marr nga letra e komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari.
“Skandalin sa i përket ushqimit të ushtrisë së Kosovës nuk e kemi zbuluar ne, jemi njoftuar nga gjenerali, Bashkim Jashari – komandant i ushtrisë së Kosovës, të ka kërcënuar me pezullim të të gjitha aktiviteteve ushtarake nëse nuk rregullohet çështja e ushqimit. Këtu jemi njoftuar ne për mungesën e ushqimit…këtë çështje nuk e ka banalizuar askush dhe nuk besoj që të bënë nder as ty me thënë se nuk mund ta quash letrën e gjeneralit Bashkim Jashari banale, nëse thua është banale, atëherë prej asaj pjese ka ardhur banaliteti ”, theksoi ai./kp