Kosova do të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gazë. Sipas ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kështu Kosova po shndërrohet nga konsumues i sigurisë në kontribuues për paqen globale.
Në dhjetor të vitit 2025, ShBA-ja thuhet se u ka kërkuar zyrtarisht 70 vendeve, mes tyre edhe Kosovës, të kontribuojnë në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), e cila synon të mbështesë ushtarakisht procesin e paqes në Gazë. Më 11 dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh në parim i gatshëm të miratonte dërgimin e trupave. Më 30 mars 2026, qeveria e tij e miratoi njëzëri këtë vendim, ndërsa më 17 prill vendimi u votua po ashtu njëzëri edhe në parlament.
Parlamenti miratoi fillimisht një kontingjent prej 22 ushtarësh. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëhet fjalë për personel nga fusha të ndryshme ushtarake, përfshirë çminimin dhe eliminimin e mjeteve të pashpërthyera, planifikimin e operacioneve speciale, si dhe ekipe mjekësore.
Pjesëmarrja e Kosovës në operacione ndërkombëtare
Kosova ka treguar edhe në të kaluarën gatishmëri të madhe ndaj interesave të politikës së jashtme amerikane, si shenjë mirënjohjeje historike për mbështetjen e Uashingtonit, për shkak të varësisë strategjike nga Perëndimi, por edhe për arsye pragmatike, si shteti më i ri dhe një nga më të vegjlit në Ballkan.
Ministri Maqedonci kujton se në vitin 2021 Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka marrë pjesë në një operacion në Lindjen e Mesme, së bashku me Gardën Kombëtare të Ajovës, në kuadër të operacionit “Inherent Resolve”, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Po ashtu, në Mbretërinë e Bashkuar aktualisht vepron një ekip instruktorësh të FSK-së, si pjesë e operacionit “Interflex”, për trajnimin taktik të rekrutëve ukrainas. Në Kosovë po trajnohen gjithashtu oficerë, ushtarakë dhe profesionistë ukrainas në fushën e çminimit.
Kosova ka marrë pjesë edhe në operacione të tjera, si në Ishujt Falkland dhe në Belize, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar. Përveç kësaj, FSK-ja ka zhvilluar më herët edhe operacione humanitare në Turqi dhe Shqipëri.
Shpresa për forcimin e pozitës ndërkombëtare
Kosova shpreson që pjesëmarrja në misionin në Gazë do ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe do t’i sjellë prestigj dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë.
“Për herë të parë, Kosova po merr pjesë në një mision të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, edhe pse ende nuk jemi anëtare e Kombeve të Bashkuara”, thotë Maqedonci.
“Është një operacion me rrezik, por ajo që është e rëndësishme për Kosovën është se kjo pjesëmarrje po e shndërron vendin tonë në kontribuues të sigurisë globale. Pra, nga një vend që për vite me radhë ka qenë konsumues i sigurisë përmes mbështetjes nga trupat e KFOR-it, po shndërrohemi në një vend që kontribuon për sigurinë globale”.
Maqedonci: Nuk ka mision paqeruajtës pa rreziqe
Sipas ministrit Maqedonci, nuk ekziston asnjë mision paqeruajtës pa rreziqe dhe kërcënime. “Ne jemi të vetëdijshëm se pjesëtarët tanë që do të operojnë atje mund të përballen me kërcënime dhe rreziqe, duke përfshirë edhe rrezikun për jetën. Megjithatë, ky është çmimi i kontributit për paqe dhe siguri”, thotë ai.
Sa i përket rolit të FSK-së në Gazë, Maqedonci thekson se misioni do të ketë karakter kryesisht humanitar. “Ky mision do të jetë para së gjithash humanitar, do të kontribuojë për vendosjen e paqes dhe do të ndikojë në rimëkëmbjen e Lindjes së Mesme, gjegjësisht të Gazës.”
Ai bën të ditur se Kosova tashmë ka dërguar në rajon një ekip parapërgatitor, i cili po koordinon aspektet logjistike me partnerët ndërkombëtarë. “Po koordinohen çështje si akomodimi, koha e zbarkimit dhe mënyra se si do të operojnë njësitë tona në terren”, thotë Maqedonci.
Detyrat kryesore
Sipas tij, detyrat kryesore të kontingjentit kosovar do të lidhen me mbështetjen humanitare, çminimin, komunikimin civilo-ushtarak me popullatën lokale dhe detyrat planifikuese në kuadër të FNS-së.
Maqedonci shton se Kosova dhe Shqipëria tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe po bëjnë përgatitjet në bashkëpunim me ushtrinë amerikane, e cila udhëheq Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese. Megjithatë, përbërja e plotë e vendeve kontribuuese ende nuk është finalizuar. /DW







