Adhuruesit e muzikës latine në trojet shqiptare pritet të kenë mundësinë të shohin nga afër yllin e njohur kolumbian, Maluma, i cili pritet të mbajë një koncert në Prishtinë gjatë vitit 2027.
Artisti i njohur ka publikuar në rrjetet sociale itinerarin e turneut të tij të ardhshëm botëror, të pagëzuar si “Loco X Volver World Tour 2027”, duke përfshirë kryeqytetin e Kosovës mes më shumë se 60 destinacioneve ndërkombëtare, krah metropoleve si Parisi, Madridi, Berlini, Milano dhe Los Angeles.
Përfshirja e Prishtinës në këtë listë ka ngjallur entuziazëm të madh mes fansave, ndërsa ende nuk ka detaje zyrtare nëse koncerti do të organizohet në kuadër të festivalit Sunny Hill apo si një ngjarje e veçantë e dedikuar.
Po ashtu, data e saktë dhe detajet për biletat mbeten për t’u zbuluar në njoftimet e ardhshme zyrtare të menaxhmentit të artistit.











