Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Projektbuxhetin për vitin 2027, duke vënë në pikëpyetje ndikimin e rritjes së planifikuar të tij në mirëqenien e qytetarëve.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës, tha se pavarësisht rritjes së buxhetit, qytetarët po përballen me varfërim.
Ai theksoi se rritja prej 7.5 për qind, e prezantuar nga Qeveria, krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2026, është në fakt 4.86 për qind.
Sipas Lushtakut, duke marrë parasysh inflacionin e parashikuar prej 4 për qind, rritja reale e shpenzimeve është vetëm 0.83 për qind.
Ai bëri të ditur se PDK-ja do të kontribuojë në përmirësimin e Projektbuxhetit ndërmjet dy leximeve, duke paralajmëruar amendamente konkrete në fushën e investimeve kapitale, komunave, shëndetësisë dhe prodhimit vendor.
“Buxheti po rritet, por qytetarët po varfërohen. Të nderuar deputetë, Qeveria flet për rritje të buxhetit prej 7.5 për qind, por krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2026, rritja është vetëm 4.86 për qind. Me inflacionin e parashikuar prej 4 për qind, rritja reale e shpenzimeve është 0.83 për qind. Ndërkohë, të hyrat nga TVSH-ja planifikohen të rriten për afër 197 milionë euro… Në emër të PDK-së dua të bëj të qartë se ne do të japim kontributin tonë ndërmjet dy leximeve në këtë projektligj. Do të propozojmë amendamente konkrete për investime kapitale, komuna, shëndetësi dhe prodhim vendor. Por problemi i këtij projektbuxheti nuk është vetëm planifikimi i dobët financiar, por është edhe mungesa e rezultateve”.




