Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka kërkuar përgjegjësi politike nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Lushaku ka reaguar pas konferencës së përbashkët të dy ministrave, ku ata deklaruan se dorëheqja e tyre nuk do të kontribuonte në trajtimin më të mirë të rastit.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka vlerësuar se dorëheqja do të përbënte marrjen e përgjegjësisë politike për dështimin e institucioneve në mbrojtjen e Arlindës.
“Dy ministra sot dhe na thanë se dorëheqja e tyre nuk do të përmirësonte asgjë! Dorëheqja nuk e kthen Arlindën, e as pamjen e vrasjes me sëpatë në sytë e djalit. Po, dorëheqja është përgjegjësia për dështimin e shtetit, në këtë rast pushtetit, që nuk arriti ta mbrojë Arlindën me gjithë aparatin shtetëror në dorë!”, ka shkruar Lushaku.
Ajo ka ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me qëndrimin e ministrave për të mos dhënë dorëheqje, duke theksuar se përgjegjësia institucionale duhet të jetë e pashmangshme kur dështimet e institucioneve kanë pasoja fatale.
“Qysh po mendoni se mund ta mbani pushtetin edhe kur dështimi i pushtetit kushton jetë njerëzish?!”, ka shkruar ajo.




