Liqeni artificial në Mitrovicë konsiderohet të jetë një nga bukuritë kryesore të pjesës së afërt urbane të këtij qyteti.
Prejse u bë ai, rreth një dekadë më parë, mitrovicasit, pos që krenoheshin me të, edhe kalonin shumë kohë të kjo hapësirë e komunës që ndodhet afër stadiumit “Adem Jashari”.
Por, këtë vit, është zbehur paksa vullneti i vendasve dhe vizitorëve për të ardhur këtu.
Kjo për faktin se pamja e Liqenit, sidomos pjesa me ujë, ka ndryshuar, jo për të mirë.
Ai është mbushur me barishte, që kanë rrënjë nën ujë, e për pasojë edhe me mbeturina.
Në pjesën më të madhe të sipërfaqes është krijuar një shtresë e rëndë, që po ua vret syrin qytetarëve, dhe e cila ka bërë të largohen, në një masë, edhe shpezët ujore që nuk ishin të pakta.
Kjo gjendje ka nxitur përplasje mes opozitës dhe ekzekutivit komunal për mënyrën e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së liqenit.
Në komunë e kanë pranuar, në njëfarë mënyre, se gjendja te liqeni nuk është e mirë. Por, sipas zëdhënësit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Shkëlzen Haliti, kjo gjendje është trashëguar nga qeverisjet e mëparshme, ndërsa ka shtuar se janë ndërmarrë disa hapa për ndërhyrje dhe pastrim.
“Po, është e vërtetë, gjendja në Liqenin Akumulues nuk është e mirë. Kjo gjendje është trashëguar nga qeverisja paraprake, nuk dua të fajësoj, por kjo gjendje ka qenë edhe më herët, ndërsa në fundin e mandatit të qeverisjes paraprake ka qenë edhe makineria për pastrimin e këtyre barishteve e dëmtuar mjaft shumë. Ne e kemi riparuar dhe kemi filluar menjëherë largimin e barishteve prej Liqenit Akumulues, mirëpo niveli i ujit ka rënë shumë dhe nuk mund të pastrohet deri në fund të tokës për shkak se nuk mund të ndërhyjmë me makineri të rënda, që të mos dëmtohet flora dhe fauna. Kështu që aq sa kemi pasur mundësi e kemi pastruar, por vitin tjetër mendojmë të kemi një buxhet të planifikuar dhe të bëjmë një task-forcë që të merret vetëm me liqenin akumulues, ku do të përfshihen ekspertë, grupe nga ministria dhe komuna, të cilët do të bëjnë mbikëqyrjen dhe pastrimin në mënyrë sa më profesionale”, deklaroi Haliti.
Shefi i grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut, Shkëlqim Ibrahimi, ka kritikuar qeverisjen lokale për mungesë të ndërhyrjes dhe mirëmbajtjes në këtë zonë.
“Këto barishte nuk janë shkaktuar nga dora e njeriut dhe nuk konsiderojmë që kanë dëmtuar diçka, ato vijnë natyrshëm, por nga aspekti i pastërtisë dhe estetik duhet të ndërhyhet në mënyrë profesionale. Ne kemi ndërhyrë aq sa kemi mundur dhe aq sa kemi kapacitete, por kjo ka qenë deri më tani, do të thotë prej vitit tjetër do të ketë trajtim krejt ndryshe”, tha ai.
Në vitin 2023, Komuna e Mitrovicës në ish-qeverisjen e Bedri Hamzës ka blerë një anije për pastrimin e liqenit artificial në vlerë prej 97 mijë e 828 euro.
Mjeti është prezantuar si investim shtesë për mirëmbajtjen e liqenit dhe si vlerë e shtuar për pastrimin e mbeturinave në këtë hapësirë ujore, mjet ky që dje është parë teksa pastronte.







