Kryetari i rizgjedhur i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj deklaroi se nuk do të bëjë asnjëherë politikat, siç i konsideroi ai, që imponohen apo ndërtohen nga disponimet ditore.
Ai tha se është për vendime të vështira por të rrugës së duhur. Pas rizgjedhjes në Kuvendin e tretë Zgjedhor edhe për një mandat në krye të Nismës Socialdemokrate, Limaj u shpreh se Kosova është në krizë institucionale, dhe se për këtë fajësoi partitë që kanë më shumë vota.
Ai para më shumë se treqind e pesëdhjetë delegatëve tha se nuk mund të marrin “rolin e tjerëve”, por që u shpreh se do të angazhohen për formim të institucioneve.
Në politikë, sipas Limajt duhet të lexohen drejt numrat dhe nuk duhet të mbyllin sytë para realitetit politik.
“Kosova është në një krizë institucionale, përgjegjësinë kryesore për këtë gjendje të deritanishme e kanë ata që kanë më së shumti vota. Partitë kryesore, të cilat kanë marrë besimin më shumë nga qytetarët. Nisma Socialdemokrate, deputetët e juaj janë munduar dhe po mundohen të japin kontributin e tyre për të zgjedhur krizën. Por, ne nuk mund ta bëjmë atë vetë. Ne do e bëjmë angazhimin tonë për aq sa mundemi, por nuk mund të marrim rolin e të tjerëve. Ne nuk mund të sillemi përtej asaj që kemi mandatin e qytetarëve dhe fuqisë sonë politike. Por, për aq sa e kemi fuqinë politike, ne do ta kemi qëndrimin e qartë për objektiv që Kosova të fitojë institucionet e veta”, deklaroi Limaj.
Ai tha se nuk bëjnë beteja personale, por politike, siç shtoi ai, përmes gjuhës argumentuese.
“Me inate, me ego nuk ndërtohet shteti. Lidershipi është kur e tejkalon veten, kur në situatën e pazgjidhshme e gjen zgjidhjen, kur në situatën e pa komunikueshme e gjen komunikimin. Kur në situatën e pamundur e gjen të mundshëm për vendin tënd. Ky është lidershipi, kjo është ajo që i duhet Kosovës. Më së lehti është të bësh një politikë çfarë jemi mësuar të shohim në Kosovë, politikën e hidhërimit, egos, inateve. Sa herë ia ka pa hairin Kosova këtyre politikave? Çfarë ka fituar vendi ynë? Ne e refuzojmë këtë logjikë. Ne duam një logjikë tjetër. Ne duam që të marrim përgjegjësi sipas besimit që kanë marrë njerëzit”, potencoi Limaj.
Ai citoi politikanin britanik Winston Churchill, ku tha se është i gatshëm që “gjërat e komplikuara t’i thjeshtojë”, raporton KosovaPress.
“Ka lënë gjurmë në shekullin e kaluar në historinë e gjithë botës, Winston Churchill, dhe ajo thotë ‘njerëzit e mençur gjërat e komplikuara i thjeshtojnë’. Njerëzit e padijshëm gjërat e thjeshta i komplikojnë. Dhe këtu është dallimi ynë me të tjerët. Ne duam të jemi në ballë kur gjërat janë të komplikuara për t’i thjeshtuar dhe për t’i lënë në shërbim të vendit tonë. Vendimet e mëdha, pozicionimet e mëdha politike në momente të caktuara sjellin reagime. Ka kundërthënie, konfuzion, lloj-lloj reagime nga njerëzit. Ka vendime politike që duhet koha t’i dëshmojë dhe nuk mund të shpjegohen. Përvoja ime politike shpesh ma ka treguar këtë – jo çdo gjë mund të shpjegohet në një takim ose në një udhëheqje çfarë jemi sot. Ka shumë vendime politike që koha u jep të drejtën apo të padrejtën. Ajo që mund të duket në shikim të parë e padrejtë sot, nesër mund të del që ka qenë vendimtare”, theksoi Limaj para delegatëve.
Limaj tha se s’do të bëjë kurrë politikat që imponohen nga disponimet ditore.
“As kam bërë, as do të bëj, as do të bëj kurrë politikat, të cilat imponohen ose ndërtohen nga disponimet ditore, nga rrjetet sociale apo nga kafet. Nuk është detyrë imja. Jemi këtu për vendime të vështira, por shumë më me rëndësi vendimit që t’i besohet se ai është në rrugën e duhur – ku jemi sot dhe ku kemi qenë para disa muajsh. Deri sot, në skenën politike të Kosovës, nëse diçka na bën të ndihemi krenarë e të dallohemi nga të tjerët, është korrektësia, mbajtja e fjalës, qëndrimi korrekt ndaj çdo problematike, ndaj çdo çështje, dhe ndaj çdo partneri. Nuk ka në skenën aktuale politike dikush që mund të krahasohet me ne as për korrektësi, as për mbajtje të fjalës, as për qëndrime të qarta ndaj vendit”, theksoi Limaj.
Ai para delegatëve të pranishëm tha se do të vazhdojnë të promovojnë drejtësinë sociale, por gjithashtu theksoi se nuk do të bëjnë kompromise me vlerat e luftës çlirimtare.
“Ne nuk bëjmë kompromise me rrugëtimin e saj, me vlerat fundamentale që ky shtet është krijuar. Trashëgimia jonë historike është vlerë mbi të cilën është rritur shteti i Kosovës. Lavdia e kësaj trashëgimie përmbyllet dhe maja e saj është lufta çlirimtare, bazament i krejt asaj që ne sot e gëzojmë. Ne krenohemi si forcë politike dhe do të jemi gjithmonë krenarë e do të promovojmë për të mbrojtur, afirmuar dhe fuqizuar e nderuar ato vlera në krye me komandantin legjendar e gjithë atyre burrave e grave që kanë dhënë jetën për Kosovën dhe gjithë atyre burrave e grave që janë gjallë dhe që kanë shërbyer në etape të caktuara të Kosovës”, përfundoi Limaj