Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka prezantuar një rezolutë duke kërkuar uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën, si dhe subvencionimin e çmimit të saj për sektorët më të ndjeshëm.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se rritja e çmimit të naftës po rrezikon të thellojë krizën ekonomike dhe sociale, duke ndikuar direkt në çmimet e produkteve bazike, shërbimeve, transportit dhe ndërtimit.
Sipas saj, rezoluta kërkon konkretisht: Uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë në 20 centë për litër, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 8%, si dhe subvencionimin e çmimeve të naftës për sektorët më të ndjeshëm, përfshirë bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendorë.
Lushaku-Sadriu ka theksuar se institucionet duhet të marrin masa për të mbrojtur qytetarët nga rritja e kostos së jetesës dhe se Qeveria nuk mund të qëndrojë spektatore.











