Këto vendime do të bëheshin shkas i një numri të madh të zhvillimeve politike në vend, gjatë pjesës së dytë të vitit.
Pas një muaj, vendimi për letërnjoftimet hyri në fuqi. Si rrjedhojë, mes minutave të fundit të muajit korrik dhe të parëve të muajit gusht, në pjesën veriore të vendit filloi të tensionohej situata.
Qytetarë serbë të instrumentalizuar nga Beogradi filluan t’i përdorin metodat e njëjta që janë aplikuar edhe më herët- barrikaduan rrugët kryesore dhe pamundësuan qarkullimin.
Tensionimi i situatës atë natë, ngjalli reagime të shumta të Bashkësisë ndërkombëtare dhe përfaqësuesve diplomatikë. Thirrjet bëheshin për shmangie të incidenteve.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier nga hapësirat e Kuvendit të Kosovës, i kërkoi Qeverisë që të shtyj vendimin për 30 ditë.
Qeveria e Kosovës e dëgjoi këtë kërkesë dhe u zotua që të dy vendimet do t’i shtyj për një muaj.
Para përfundimit të këtij afati, palët në Bruksel arritën marrëveshje për çështjen e letërnjoftimeve, dhe si Republika e Kosovës, ashtu edhe Serbia, e larguan nga përdorimi dokumentin për hyrje/dalje.
Kishte dilema për zbatimin e marrëveshjes, por megjithatë gjithçka shkoi sipas planit dhe implementimi vazhdoi pa ndonjë problem.
Me shtyrjen prej 30 ditësh, i binte që më 1 shtator, vendimi për targat të hynte në afatin rrjedhës prej dy muajsh, e që i bije që dita e parë e fillimit të zbatimit të tij, të ishte më 1 nëntor.
Kur data po ofronte bashkësia ndërkombëtare doli me një kërkesë për shtyrje të re për çështjen e targave. Fillimisht këtë ide e hodhi ambasadori Hovenier.
Por, për kërkesën në mënyrë më specifike, njoftoi i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Gjatë vizitës që pati në muajin tetor në Kosovë, ai deklaroi se ka kërkuar nga Kurti një shtyrje të vendimit për 10 muaj.
Tani, të gjithë ishin në pritje të një vendimi, se si do të vazhdohej tutje e cili do të ishte mesi i artë, mes insistimit të Qeverisë dhe kërkesës së ndërkombëtarëve.
Kështu, në mbrëmjen e 28 tetorit, kryeministri i vendit Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, njoftoi se si do të vazhdohet tutje me zbatimin e vendimit për targat.
Në konferencë për media pas kësaj mbledhje, Kurti tregoi edhe për koordinimin me ndërkombëtarët për këtë vendim.
Pas konsultave me kryeqendrat e tyre, vendet e Quintit, u shprehen kundër këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, dhe insistonin në kërkesën e tyre, që vendimi të shtyhet për 10 muaj.
Madje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, patën deklaruar se janë të zhgënjyer me vendimin e ekzekutivit kosovar.
“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhej në deklaratën e tyre.
Edhe partitë opozitare ishin të të njëjtit mendim, që në bazë të marrëveshjeve te Brukselit, Kosova ka të drejtë të marrë një venim të tillë, por Qeveria duhet ta shtynte vendimin për targat pas kërkesës së ndërkombëtarëve- për hir të dialogut. Kjo pasi, palët tanimë e kishin në tavolinën e tyre, atë që njihej si Plani franko-gjerman.
Në anën tjetër, Lista Serbe paralajmëronte që pas shqiptimit të gjobës së parë, do të fillonte rezistencën e do të vendoste barrikada në rrugë.
Nuk shkoi kohë e gjatë dhe serbët e Kosovës, bojkotuan edhe institucionet qendrore e lokale të Republikës. Dhanë dorëheqje ministrat, deputetët, kryetarët e 4 komunave veriore, policët, përshirë edhe gjykatës e prokurorë serbë të asaj zone.
Më pas në procedurë të rregullt, deputetët u zëvendësuan. Ashtu siç edhe u mor vendimi që katër komunat veriore të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme më 18 dhjetor.
21 nëntori që ishte paraparë si dita e fillimit të shqiptimit të gjobave po ofronte. Bashkësia ndërkombëtare kërkonte me ngulm nga Kosova dhe Serbia arritjen e një zgjidhjeje. Madje, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, në një intervistë për tëvë1, pati thënë se në Bruksel janë duke diskutuar për modalitetet e daljes nga situata.
“Tash këto pastaj zbardhen në fund kur të kemi dakordim, ne jemi ende ne kontakt me zotërinë Lajcak, sot i kemi dërguar edhe me shkrim atë mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Dhe në atë moment që ne kemi dakordim e bëjmë publike… pra a është shtyrja e afatit ose zgjatja e afatit të qortimeve njëra prej modaliteteve të diskutimit? Po modalitete janë 20 sosh, por tash për të cilin kemi bisedu … por, në 20 mund të jetë secili po po them për cilin kemi diskutu na dhe cilinin na jemi duke e suportu është diçka tjetër pastaj”, ka thënë Bislimi.
Pavarësisht gjithë këtyre, palët vendosën që për zgjidhjen të ulën dhe të negociojnë në minutat e fundit.
E hëna e 21 nëntorit, do të zhvendoste vëmendjen në kryeqendrën evropiane- Brukselin. Kurti e Vuciq do të takoheshin pas një kohe të gjatë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi zgjati për rreth 8 orë, por pa ndonjë rezultat. Ky fakt e pati acaruar ndërmjetësin Borrell, i cili pas takimit pati kritikuar palët, sidomos Kosovën.
“Do të informojë shtetet anëtare të BE-së, ministrat e jashtëm dhe partnerët tanë për sjelljen jokonstruktive të palëve dhe mungesë totale respekti ndaj obligimeve të tyre ligjore ndërkombëtare, dhe kjo vlen veçanërisht për Kosovën. Kjo dërgon një sinjal shumë negativ politik”, ka thënë Borrell. “E di se kjo dërgon sinjal negativ politik. E bëjë shumë të qartë për të dyja palët, se nëse futja në BE është synim e tyre, atëherë të sillen në frymë të tillë”, ka deklaruar Borrell.
Ndërsa kryeministri, Albin Kurti, pati thënë se janë të gatshëm për bisedime, por se, në qendër duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
“Nuk mund të shndërrohemi me liderë shtetërorë që merremi me çështje të targave dhe nuk diskutojmë për normalizim…Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka thënë Kurti.
E presidenti serb, Aleksandër Vuqiq, pati deklaruar se e pranuan propozimin e përfaqësuesit të lartë evropian.
“Borell kërkoi që zyrtarët kosovarë të mos shqiptojnë gjoba, e që ne mos të lëshojmë targa të reja KM – për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër”, ka thënë Vuçiq.
Në pamundësi që liderët të arrinin diçka, dy ditë më vonë në Bruksel, Borrell priti Besnik Bislimin nga Kosova e serbin Petar Petkoviq. Ku edhe e arritën marrëveshjen për targat.
Në një postim në Twitter, Borrell njoftoi se është arritur ujdia që Serbia të mos lëshoi targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës, kurse Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë nën lehtësimin e BE-së kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka shkruar Borrell.
Në deklaratën zyrtare pas takimit që kishte lëshuar Borrell, ndër të tjera kishte specifikuar faktin se nëse njëra nga palët pengon arritjen e marrëveshjes për normalizim, BE, mund ta ndërpres dialogun.
Pavarësisht marrëveshjes, pala serbe si çdoherë, nuk filloi zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Kronika e gazetarit, Valmir Gallopeni