Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili e rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Albin Kurti nuk arriti ta përvetësojë një institucion të rëndësishëm siç është KPK-ja, raporton teve1.info
Gjatë konferencës për medie, Tahiri tha se Kurti ka tentuar ta vendosë nën kthetra KPK-në, por se Kushtetuesja nuk e lejoi.
“Kemi pasur një debat jashtëzakonisht të gjatë dhe kemi kërkuar nga ministrja e Drejtësisë dhe kryeministri që ky projektligj të tërhiqet sepse si i tillë padyshim që nuk i përmbush standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe nuk mund të kalojë. Mbrëmë Kushtetuesja ka bërë publike që këtë ligj e ka nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e Kosovës, gjë që është lajm shumë i mirë për drejtësinë në Kosovë që pushteti i madh i Albin Kurtit nuk arriti ta vendosë nën kthetra edhe një institucion kaq të rëndësishëm siç është KPK-ja”, tha Tahiri.
Sipas tij, po të miratohej ky ligj do të ishte kapje e fuqishme e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kurti.
“Të ndodhte një miratim i një ligji të tillë, do të ishte një përmbysje apo një kapje e fuqishme e KPK-së që sot mund të jetë nga Albin Kurti e nesër nga një mazhorancë tjetër. Është një ligj që e cenon rëndë pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ky ligj nuk e ka pasur përkrahjen as të partnerëve tanë ndërkombëtarë që funksionojnë në Kosovë”, ka thënë ai.