Çitaku ka shkruar se e tërë shoqëria duhet të reagojë, pasi sipas saj, kjo gjendje e përsëritshme nuk duhet të normalizohet.
“Rebelim. Revoltë. Shoqnija duhet me u çu në këmbë. Boll ma. Gratë po vriten. Nuk guxojmë me e normalizu këtë gjendje”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Veç kësaj, reagim pati edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ajo ka shkruar se gjithë këto krime po ndodhin për shkak se nuk ka dënime kapitale për kriminelët, raporton teve1.info.
“Jam e tmerruar me ngjarjen e sotme që po raportohet se një burrë ka vrarë gruan e tij shtatzënë. Ky rast është i dyti brenda pak ditësh kur edhe një mësuese u vra në mënyrë mizore. Gjithë këto krime po ndodhin pasi s’ka dënime kapitale për kriminelët. Gjykatat duhet të japin dënime maksimale për gjithë ata që bëjnë krime të tilla”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Madje, Bajrami ka shkruar se këto dy vrasje kanë ndodhur pak ditë pasi gjykata uli dënimin nga burgimi i përjetshëm në 35 vite burgim për vrasësin e Donjeta Pajazitajt.
Një reagim nuk mungoi as nga Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, teksa ka shkruar se një akt i tillë kundërshton traditën shqiptare dhe logjikën njerëzore.
“I tronditur nga lajmi për vrasjen makabre që ndodhi në SHSKUK. Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore. Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kujtojmë se një grua dyshohet se është vrarë para Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Tëvë1 ka mësuar se sipas dëshmitarëve, gruaja që mbeti e vrarë ka qenë shtatzënë./teve1.info./