Përmes një komunikate për medie, zyra e informimit e Policisë ka njoftuar se kjo fushatë do të realizohet përmes shpërndarjes së materialit promovues – fletushkave, të cilat përmbajnë këshilla për ndërmarrjen e masave në parandalimin e dhunës në familje.
Po ashtu, fletushkat promovojnë edhe raportimin e këtyre rasteve në Policinë e Kosovës që bartin mesazhin “Ndal dhunën në familje”, ku të njëjtat do të shpërndahen tek qytetarët e të gjitha qyteteve të Kosovës pavarësisht moshës.
“Kjo fushatë sensibilizuese do të vazhdojë deri me datën 10 dhjetor 2022 me aktivitete të ndryshme sensibilizuese, siç janë: takimet njoftuese me qytetarë, ligjërata në institucione shkollore, takime në nivelin e institucioneve shtetërore, duke mos lënë anash edhe segmentin e rëndësishëm dhe kontribuues pra angazhimin e shoqërisë civile”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas komunikatës, Policia e Kosovës ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje, me ç’rast në vazhdimësi ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje, duke potencuar se dhuna nuk ndalet pa u raportuar dhe pa u trajtuar nga organet kompetente.
“Duke ditur ndjeshmërinë e tyre edhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është; parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet në njoftim.
Aktiviteti i së premtes është mbajtur në bashkëpunim me zyrën e UN-Women.