As këtë muaj, jo të gjithë punëtorët e sektorit publik morën pagat sipas ligjit të ri të pagave.
Ministria e Punëve të Brendshme së bashkë me atë të Financave, njoftuan se procesi i trajtimit të të dhënave dhe finalizimi i listave ende nuk ka përfunduar.
Rrjedhimisht, shtesat për muajin shkurt dhe mars, të llogaritura me ligjin e ri të pagave, do të paguhen në mënyrë retroaktive në muajin prill.
“Gjatë këtij muaji, me prioritet, ekipet përgjegjëse kanë punuar në përfshirjen në sistem të pagave për punonjësit që nuk u kanë dalë pagat në muajt e kaluar, punonjësit që janë rekrutuar/kanë lidhur kontratë me institucionet publike pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Për shkak të urgjencës, këtë muaj është arritur që të përfshihen në listat për disbursim kompensimet e veçanta për stafin diplomatik të Republikës së Kosovës që shërbejnë në misionet diplomatike dhe konsullore”, thuhet në njoftim.
Këto vonesa të ekzekutimit të pagave me shtesa, Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës, i sheh si të paarsyeshme, e cila po krijon paqartësi.
Sipas njohësit të ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, vonesat e përshtatjes së të dhënave është neglizhencë e institucioneve.
Ligji i ri i pagave, i cili u përcoll me kritika të shumta, e ka vlerën e koeficientit 105 euro.
Kronika e gazetares Florijeta Dernjani.