Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se me Escobarin kanë folur për situatën e sigurisë në Kosovë dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse – me njohjen reciproke në qendër.
“Arritjet tona më të mëdha kombëtare, si çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi i Kosovës, u realizuan edhe falë mbështetjes së parezervë amerikane dhe përmes koordinimit strategjik me SHBA-të. Një tregim suksesi i jashtëzakonshëm, i cili u bë i mundur vetëm falë besimit të dyanshëm, sinqeritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë, që mund ta kenë vetëm dy aleatë të përkushtuar. Z. Escobar i shpreha qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi me SHBA-në për ne është pa alternativë, edhe për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që na jep në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare – përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB”, thuhet ndër tjerash në postim.
Tutje, Krasniqi shton se në takim ka siguruar se PDK do të ofrojë mbështetjen dhe ndihmën për çdo çështje që prek interesin shtetëror të Kosovës.
Po ashtu, kreu opozitar shtoi se qëndrimi i popullit të Kosovës dhe i partisë së tij është për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike.
“Po ashtu, z. Escobar e sigurova se PDK do ta ofrojë gjithë mbështetjen dhe ndihmën e saj për çdo çështje që prek interesin shtetëror të Kosovës, konform seriozitetit të situatës së re gjeopolitike në Evropë, pas agresionit rus në Ukrainë. Në fund të takimit, z Escobar e sigurova se qëndrimi i popullit të Kosovës, e pa dyshim edhe i PDK-së si lidere e opozitës, për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm. Kur Shtëpia e Bardhë është adresa dhe kur aleanca me SHBA-të është rruga, afirmimi dhe suksesi kombëtar e shtetëror i Kosovës është destinacion i pashmangshëm”, shtoi ndër tjerash ai./teve1.info/