Pa asnjë votë kundër e pa asnjë abstenim.
Ditë më parë, me mbështetje të plotë nga të gjitha partitë, Kuvendi i Kosovës i dha dritën jeshile formimit të Komisionit Ad-Hoc për hartimin e projektligjit për parandalimin e vetëvrasjes.
Ky vendim vjen pas një peticioni me mbi 12 mijë nënshkrime dhe shënon hapin e parë drejt përfshirjes së këtij fenomeni në kornizë ligjore dhe institucionale.
Nga Qendra për Informim dhe përmirësim social kanë treguar se çka parasheh ky projektligj.
“…i parasheh 6 pika, një është mirëmbajtja e socializmit të linjës së jetës që është linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjes por edhe me u kriju si shërbim që ofrohet prej shtetit, 2 janë ofru shërbime klinike dhe jo klinike që nënkupton dmth edhe mbështetje shëndetësore për persona edhe mbështetje sociale. Tjetra është me kriju mekanizma për identifikimin e numrave të vetëvrasjes se nuk e dimë realisht sa shifra janë. Tjetra është me kriju rrugë që janë të pakicave etnike, religjioze që munden me u ndiku ma shumë prej vetëvrasjes edhe e fundit është që me bashkëpunu me media që me mujt me rregullu pjesën e raportimeve për vetëvrasje”, thotë Bind Sekaj nga Qendra për Informim dhe Përmirësim Social.
Nga kjo Qendër u shprehën të lumtur që projektligji kaloi me të gjitha votat pro.
“Ajo që na ka befasu është që kush do që ka qenë në sallë ka votu pro nuk ka pas asnjë abstenim, kundërshtim, na ka gëzu shumë fakti që u kon pra prej krejt spektrit politik i mbështetur si iniciativë edhe po shpresojmë që kjo e jep një farë sheje që qysh ka me vazhdu puna për këtë projektligj”, tha ai.
Rastet e vetëvrasjes, sipas sociologut Kushtrim Bekteshi, po ndodhin më shumë te moshat e reja.
“Fenomeni i vetëvrasjeve në Kosovë, por edhe në botë është jashtëzakonisht shqetësues për faktin që numri i tyre është jashtëzakonisht i lartë dhe po ashtu duhet ta përmendim faktin që kjo vjen për një sërë faktorësh por ndoshta kryesoret janë presioni i madh social dhe bashkangjitur këtu edhe me mediat sociale dhe në përgjithësi realiteti social me të cilin përballemi ne çdo ditë”, tregoi Bekteshi.
Nga viti 2019, përmes Linjës së Jetës janë regjistruar mbi 12 mijë kontakte për ndihmë.
Iniciuesit kërkojnë që kjo mbështetje të institucionalizohet, duke e kthyer në një shërbim të qëndrueshëm për qytetarët.



