Gjatë këtij sezoni të verës, njësoj si në vitet e kaluara, punonjësit në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, po përballen me kushte të rënda pune për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së funksionimit të duhur të sistemit të klimatizimit.
Temperaturat brenda ambienteve të punës, përfshirë zyrat dhe sallat e gjykimit, kanë arritur deri në 34–35°C, çka po ndikon negativisht në shëndetin e gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve të përfshira në seanca gjyqësore, si dhe në efikasitetin e punës së përditshme të gjykatës.
Sipas informatave zyrtare problemi buron nga mosfunksionimi i njërës prej dy termo pompave që shërbejnë për klimatizimin e ndërtesës.
Aktualisht, vetëm një termo-pompë është në funksion, por ajo nuk arrin të përballojë ngarkesën për të gjithë objektin.
Si pasojë, janë raportuar edhe raste të alivanosjes së punonjësve, ndërkohë që Shoqata Sindikale e Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk e përjashton mundësinë e organizimit të protestave.
Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka autorizuar kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë që të vlerësojnë kushtet e punës, duke shqyrtuar mundësinë e pezullimit apo reduktimit të punës.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi deklaroi se temperaturat e larta kanë shkaktuar ambient të papërballueshëm për punonjësit në Pallatin e Drejtësisë.
Ajo thotë se si pasojë e gjendjes së krijuar është rënduar edhe më shumë situata shëndetësore e punëtorëve që kanë sëmundje kronike, derisa shton se ka ndodhur edhe një alivanosje.
“Në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë klimatizimi nuk është duke funksionuar dhe si pasojë e kësaj temperaturat nëpër zyrat e gjykatës dhe sallat e gjykimit kanë arritur deri në 34 gradë. Duke krijuar kushte të vështira për punë dhe duke krijuar ambient të papërballueshëm për gjyqtarët, për stafin e gjykatës, po ashtu edhe për palët në procedurë të cilët vazhdimisht marrin pjesë në seanca gjyqësore…Temperaturat e larta nëpër zyre të gjykatës dhe sallat e gjykimit janë duke ndikuar negativisht në shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit administrative po ashtu edhe në efikasitetin e punës në gjykatë. Duke pas parasysh që një numër i zyrtarëve është edhe me sëmundje kronike dhe kjo gjendje është duke keqësuar shëndetin e tyre, ndërsa dje kemi pas edhe një rast të alivanosjes në gjykatë“, thotë Gashi.
Punonjësit në pallat po kërkojnë kushte minimale për punë, derisa theksojnë se deri tani nga Ministria e Punëve të Brendshme që e ka nën administrim këtë objekt, nuk ka ndërmarrë masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.
“Menaxhmenti i gjykatës ka njoftuar disa herë zyrtarët kompetentë nga MPB, divizonin për menaxhim të ndërtesave duke kërkuar intervenim për sanim të problemit, mirëpo deri tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështje dhe gjendja është duke vazhduar të jetë e njëjtë…Kërkesa jonë është e thjeshtë dhe legjitime të sigurohen kushte minimale dhe njerëzore për të kryer punën në mënyrë dinjitoze dhe për të zhvilluar proceset gjyqësore në mënyrë të rregullt. Po ashtu, iu bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të marrin masa në mënyrë të menjëhershme, pasi që është krijuar një gjendje alarmante“, theksoi ajo.
Shqetësimet për kushtet e punës në hapësirat ku ndodhen institucionet e drejtësisë i shfaqen edhe sindikalistët e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, ka ngritur sërish alarmin për kushtet e rënda të punës në Pallatin e Drejtësisë, duke theksuar se problemi me sistemin e klimatizimit nuk është i ri, por një shqetësim i kahershëm që daton që nga inaugurimi i këtij objekti.
“Këtë problem ju e dini që e kemi në vazhdimësi mos të them nga inaugurimi i këtij objekti, verës katastrofë, temperaturë katastrofë, klimatizim zero, dimrit nuk ka nxemje, nuk e di deri kur shteti jonë, ministria do të intervenon dhe të krijoj kushte. Definitivisht jemi shumë keq…Klimatizimin nuk punon, kushtet janë tmerrësisht për punë….Nëse është jashtë 33 brenda është deri 35 grand, gjithmonë brenda është dy gradë më tepër sesa jashtë, kështu që kushtet i kemi shumë keq…kërkojmë shumë me ngulm nga Ministria e Punëve të Brendshme të na bëjë zgjidhjen sepse ky objekt me të vërtetë në gjendje shumë të keqe. Për shëndetin e punëtorëve me të vërtet duhet të intervenohet edhe duhet të na krijohet kushte në punë“, theksoi ai.
Kryesindikalisti ka theksuar se temperaturat e larta po shkaktojnë lodhje fizike, marramendje dhe vështirësi në përqendrim, duke e bërë të pamundur punën në kushte normale.
Sipas tij, sindikata ka bërë kërkesat e saj të përsëritura, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete, gjë që e ka shtyrë atë të paralajmërojë mundësinë e organizimit të protestave.
“Po ndikon shumë keq, kem marramendje, kem mundim….Kushte nuk ke të mira, përqëndrimin nuk e ke të mirë në punë…Deri në pafundësi ne nuk mund të rrimë, ne kemi kërkuar për aq sa na takon neve si sindikalistë…Ndoshta javën e ardhshme do të ulët sindikata dhe të mendoj hapat tjerë pse jo ndoshta protestë 1 apo 2 orëshe dhe ne nuk kemi dëshirë, me të vërtetë ndoshta jemi të detyruar me bllokua punën”, theksoi Rrustemi.
Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në një përgjigje për KosovaPress, kanë theksuar se janë në dijeni për gjendjen në Pallat. Duke iu referuar disa përgjigjeve të këtij institucioni i janë kthyer nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet se termo-pompa 1 ndodhet jashtë funksionit.
Po në këtë përgjigje thuhet se nga MPB i kanë njoftuar se tashmë për sanim të gjendjes është nënshkruar kontrata dhe së shpejti pritet të zgjidhet ky problem.
“Për problemin ne hapësirat e juaja për mos arritjen e klimatizimit (ftohjes), ju njoftoj se qëndron një problem ku kemi termo pompën 1 jashtë funksionit ku është paraqit një defekt dhe për momentin jemi duke operuar vetëm me termo pompën 2, e cila është në funksion, por nuk mund ta arrij që t’i zvogëloj temperaturat për ftohje normale për komplet ndërtesën Pallati i Drejtësisë. Në ketë problem e kemi adresuar dhe janë iniciuar procedurat përmes prokurimit në MPB ku sipas informacioneve që kam nga udhëheqësi i DSPIMNQS z. Sundim Selmanaj, kontrata është nënshkruar nga ana e Prokurimit në MPB. Ky problem do të zgjidhet shpejt që ta kemi në funksion edhe termo pompën 1, me të cilën arrihen temperaturat normale për të gjitha hapësirat e ndërtesës së Pallatit të Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës vendosja e aparaturave tjera edhe teknikisht është problem, por edhe paraqet kosto shtesë që nuk mundet ta mbuloj KGjK.
“Ne do të insistojmë që sistemin aktual ta rregullojmë dhe funksionalizojmë dhe për këtë kemi planifikuar dhe kemi dërguar kërkesën buxhetore në Ministrinë e Financave që me buxhetin e vitit të ardhshëm të ndahen së paku një (1) milion euro për intervenimet e nevojshme në mirëmbajtjen teknike të Pallatit të Drejtësisë, me theks të veçantë në sistemin e klimatizimit dhe ventilimit”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Pallati i Drejtësisë në Prishtinë është inauguruar në vitin 2014, pas një ndërtimi që nisi në vitin 2011. Në vazhdimësi ky objekt është ballafaquar me telashe me klimatizim qoftë gjatë dimrit dhe verës, ndërsa shpesh vërshohet edhe nga uji./KP