Profesori universitar Nexhmedin Spahiu ka deklaruar se, në situatën aktuale politike në Kosovë, vetëm dy persona do ta pranonin postin e presidentit nëse do t’u ofrohej nga Lëvizja Vetëvendosje ose Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Spahiu ka thënë se njëri prej këtyre dy personave është vetë ai, ndërsa tjetri, sipas tij, është i ndjeri Adem Demaçi.
Ai ka shtuar se e konsideron veten një prej personave që do ta pranonte këtë përgjegjësi, me synimin për ta përfunduar mandatin deri në fund.
“Është një situatë ku njerëzit seriozë, edhe që nuk ua merr mendja se e qesin përtej situatën politike, nuk pranojnë të bëhen president të Kosovës. Kështu që ose do të zgjidhet një president që është joserioz, që pranon të bëhet vetëm sa me marrë një rrogë aty, ose një person serioz. Unë mendoj që janë vetëm dy njerëz këtu në Kosovë, njëri ka vdekur e që është Adem Demaçi dhe tjetri jam unë, që do ta pranonim në një situatë të tillë me u bë president. Unë e di që edhe Lumirit edhe Albinit emri im është i fundit që iu shkon në mend, por unë kisha mujt me pranu këtë me mendimin që e përfundoj deri në fund”, ka deklaruar Spahiu.
Sipas Spahiut, shumë persona nuk do ta pranonin këtë post për shkak të frikës se do të shndërroheshin në “lodër” të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka përmendur edhe rastin e profesorit Ibrahim Berisha, duke thënë se e kupton vendimin e tij për të mos e pranuar një përgjegjësi të tillë.
“Shumë persona nuk pranojnë të bëhen sepse nuk duan që të bëhen lodër e Albin Kurtit. Me e fut kokën aty edhe me e lujt pozicionin e vet duhet pak guxim. Prandaj unë i kuptoj ata persona si Ibrahim Berisha që nuk kanë pranuar të bëhen, sepse nuk kanë dashur të rrezikojnë karrierën e tyre intelektuale, sepse konsiderojnë që nuk mund ta kryejnë detyrën ashtu siç duhet. E lodër nuk dëshirojnë të bëhen për një post të presidentit”, është shprehur Spahiu.
I pyetur nëse edhe ai do të shndërrohej në “lodër të Kurtit” nëse do ta merrte postin e presidentit, Spahiu është përgjigjur shkurt:
“Jo, kuptohet që jo.”
Spahiu ka thënë gjithashtu se vetë posti i presidentit nuk përbën domosdoshmërisht një nder të madh, duke argumentuar se rëndësia e tij qëndron në atë se çfarë arrin të bëjë një president gjatë mandatit.
“Nuk është ndonjë nder i madh me u bë president i Kosovës, sepse ‘gjithkush’ ka qenë. Nder i madh do të ishte që me qenë president dhe me bë diçka që nuk kanë bërë të tjerët”, ka thënë ai.
Duke folur për diskutimet mes LVV-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit, ai ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje për një kandidat nëse Kurti nuk e përkrahë.
“Një është e qartë që atë që nuk e dëshiron Albini, nuk bahet dhe nëse do të ketë një marrëveshje kjo do të thotë që LDK-ja do të lëshojë pe. Është e vështirë që të gjendet një kandidat që edhe LVV mendon që e ka të vetin edhe LDK e ka të vetin. Zakonisht kur kërkohet një kandidat konsensual duhet të jetë në pozicion mes dy palëve”, ka përfunduar Spahiu.teve1.info/









