Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në UK Business Forum në Kosovë, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Forumi, i organizuar nga Këshilli për Investitorët Evropianë, ka mbledhur biznese, investitorë dhe partnerë institucionalë nga të dyja vendet, me fokus në mundësitë konkrete për investime, partneritete dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Ministrja Kusari-Lila ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet një nga partnerët strategjikë industrialë dhe tregtarë të Kosovës, duke vlerësuar se ekziston potencial i madh për thellimin e mëtejshëm të kësaj marrëdhënieje.
Sipas saj, Kosova ofron disa nga elementet që kërkon një investitor, përfshirë fuqinë punëtore të re dhe dinamike, një brez të ri ndërmarrësish, afërsinë me tregun evropian, klimën fiskale konkurruese dhe qasjen në tregje të reja përmes marrëveshjeve tregtare, përfshirë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA-n.
Kusari-Lila ka theksuar se, për investitorët britanikë, këto mundësi nënkuptojnë jo vetëm qasje në një treg të ri, por edhe mundësi për të prodhuar në Kosovë, për të eksportuar më lehtë drejt tregjeve evropiane dhe për të ndërtuar partneritete që mund të zgjerohen përtej kufijve të Kosovës.
Interesi britanik për investime në Kosovë është në rritje.
Aktualisht, 388 kompani me pronarë britanikë operojnë në Kosovë, ndërsa investimet britanike janë rritur nga 17.9 milionë euro në vitin 2024 në 24 milionë euro në vitin 2025.
Sipas ministres Kusari-Lila, ky trend pozitiv ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026.
Në këtë drejtim, ajo ka theksuar se potenciali i bashkëpunimit Kosovë–Mbretëri e Bashkuar nuk duhet të matet vetëm përmes shifrave të investimeve, por edhe përmes krijimit të lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve, hapjes së tregjeve të reja për kompanitë kosovare dhe krijimit të më shumë mundësive për qarkullimin e kapitalit, ideve dhe njerëzve në të dyja drejtimet./teve1.info/







