Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet.
Gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Kosovës dhe Francës, me fokus në bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet tregtare dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e ndërmarrësisë dhe inovacionit.
Sipas njoftimit, Kusari-Lila ka prezantuar të arriturat dhe përpjekjet e MINTI-t për promovimin e Kosovës si destinacion për investitorët francezë, si dhe për rritjen e pranisë së produkteve “Made in Kosova” në tregun francez.
“Në këtë drejtim, MINTI ka mbështetur tetë biznese kosovare nga sektori i përpunimit të ushqimit për pjesëmarrje në panairin ndërkombëtar SIAL Paris 2026, i cili do të mbahet nga 17 deri më 21 tetor”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në organizimin e Ditëve të Biznesit Francez në Kosovë, që pritet të mbahen në shkurt të vitit 2027, në koordinim me Ambasadën e Kosovës në Paris.
Po ashtu, është dakorduar që të punohet në një program më të strukturuar të bashkëpunimit në fushat e industrisë, tregtisë, ndërmarrësisë dhe inovacionit.
Kusari-Lila ka theksuar rëndësinë e Francës si partnere për zhvillimin e sektorit privat, rritjen e investimeve dhe avancimin e inovacionit në Kosovë./teve1.info/







