Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë përbën pjesë të një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike, e cila, sipas tij, lidhet me synimet hegjemoniste të Beogradit në rajon dhe veçanërisht ndaj Kosovës.
“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshirë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjërimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës”, ka theksuar Kurti në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila po mbahet në Prishtinë me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”, tha Kurti në Konferencën e Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Jashtme dhe Diasporës.
Në fjalën e tij, Kurti tha se mjedisi ndërkombëtar është bërë më kompleks dhe se roli i ambasadorëve nuk kufizohet më vetëm në marrëdhëniet tradicionale ndërmjet shteteve.
“Angazhimi përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet imponon më shumë se sa përfaqësim formal. Ai kërkon punë të vazhdueshme për të krijuar kontakte, për të ndërtuar partneritete dhe për të hapur mundësi të reja për vendin”, deklaroi Kurti.
Ai foli edhe për ndryshimet në sigurinë globale, duke përmendur tensionet gjeopolitike, konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha, si dhe zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe informatikës kuantike.
Sipas Kurtit, agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar perceptimet për paqen dhe stabilitetin në Evropë.
“Që nga koha e agresionit rus kundër Ukrainës, supozimet e dikurshme mbi paqen dhe stabilitetin, të ndërtuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, nuk qëndrojnë më. Përdorimi i forcës ushtarake, kapaciteteve kibernetike, fushatave dezinformuese dhe ndikimit politik të Rusisë te vendet e tjera kanë nxjerrë në sipërfaqe natyrën në zhvillim e sipër të konflikteve moderne. Përmes veprimeve të saj, Rusia ka demonstruar se këto konflikte zhvillohen përtej fushëbetejave, duke uzurpuar hapësirën digjitale dhe duke prodhuar forma të reja të kërcënimeve hibride”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu rrezikun që paraqesin fushatat e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit.
“Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion ndryshon edhe mënyrën e të bërit diplomaci. Diplomatët e ditëve të sotme duhet të merren edhe me menaxhimin e informacionit, edhe me luftimin e dezinformimit, e edhe me ruajtjen e besimit nga publiku. Është tejet e rëndësishme që të identifikoni dhe t’i kundërshtoni narrativat e rreme. Kjo mund të bëhet më së miri duke u ofruar informacion të mbështetur në fakte për arritjet tona dhe duke u angazhuar me akterë të ndryshëm joshtetëror edhe në platformat digjitale në kohë reale”, tha Kurti.
Duke folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, Kurti tha se ndikimi i Rusisë në rajon dhe zhvillimet në Serbi kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë.
Kurti tha se retorika e liderëve serbë dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon.
Ai theksoi se Kosova, përballë këtyre zhvillimeve, është përcaktuar për forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e kapaciteteve të sigurisë dhe thellimin e partneriteteve ndërkombëtare.
“Për Kosovën, kjo nënkupton vazhdimësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatë të tjerë që ndajnë të njëjtat vlera dhe që mbeten të përkushtuar për të ruajtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Kurti.
Sipas tij, partneriteti me NATO-n dhe programet e bashkëpunimit dypalësh janë ndër shtyllat kryesore për konsolidimin e kapaciteteve të sigurisë së Kosovës.
“Prania dhe roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon mbeten faktor kyç për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit rajonit. Roli ynë diplomatik merr një rëndësi të veçantë në këtë periudhë, jo vetëm për të mbrojtur interesat tona kombëtare, por edhe për të prezantuar një Kosovë të zhvilluar e prosperuese, të besueshme dhe të gatshme të kontribuojë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët rajonal, evropian e ndërkombëtar”, shtoi Kurti.
Ai përmendi edhe marrëveshjen trilaterale ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, marrëveshjet dypalëshe me SHBA-në, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtete të tjera, si dhe misionet e përbashkëta me ushtritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Folkland.




