Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar 6 tetorin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Kosovës.
Kurti ka thënë se qytetarët, përmes votës së tyre, kanë përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt politik në Kuvend dhe se secili duhet të veprojë në përputhje me peshën e votës së marrë në zgjedhje.
“Qytetarët kanë përcaktuar përgjegjësinë e secilit subjekt në Kuvend. Askujt nuk i kanë dhënë përgjegjësi absolute, rrjedhimisht secili subjekt ka përgjegjësi sipas peshës së votës së qytetarëve. Sipas njoftimit të pardjeshëm të Gjykatës Kushtetuese, afati për zgjedhjen e presidentit është deri më 6 tetor”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se, në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda afatit të përcaktuar, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.
Sipas Kurtit, zgjedhjet e reja do të ishin të katërtat brenda dy vitesh dhe nuk do të ishin zgjidhja për situatën aktuale politike.
“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë sërish në zgjedhje, që do të jenë zgjedhjet e katërta brenda dy viteve. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Ne tashmë kemi kryetar të Kuvendit dhe kemi qeveri të zgjedhur, dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president apo presidente”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka rikujtuar se në Kosovë nuk zhvillohen zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale, pasi presidenti zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës.
“Duhet ta kuptojmë që në Kosovë nuk kemi zgjedhje presidenciale. Zgjedhjet e reja do të jenë sërish për Kuvend e për qeveri dhe jo për president, pasi zgjedhja e presidentit bëhet nga Kuvendi”, ka deklaruar ai.
Kurti ka ngritur pyetjen se pse vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare, nëse rezultati do të ishte një Kuvend i ri që mund të përballej me të njëjtën vështirësi në zgjedhjen e presidentit.
“Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për të konstituuar sërish Kuvendin, i cili nuk arrin të zgjedhë president? Nuk duhet të shkojmë vazhdimisht në zgjedhje vetëm për të konstatuar rezultate të njëjta”, ka përfunduar Kurti.







