Kryeministri i rizgjedhur i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Telekomi i Kosovës përfaqëson një histori suksesi të shtetit si pronar dhe menaxher, duke theksuar transformimin e ndërmarrjes nga humbje të mëdha financiare në fitim të qëndrueshëm.
Sipas Kurtit, Telekomi ka kaluar nga buzë humnerës, me humbje vjetore që arrinin deri në 29.5 milionë euro, në një ndërmarrje fitimprurëse që vitin 2025 pritet ta mbyllë me rreth 10 milionë euro fitim.
Ai bëri të ditur se kjo është hera e katërt radhazi që Telekomi shënon fitim vjetor.
“Viti i katërt radhazi me fitim vjetor, Telekomi i Kosovës është histori suksesi e shtetit si pronar dhe menaxher. Nga buzë humnerës, me humbje vjetore deri në 29.5 milionë euro, është shndërruar në një ndërmarrje fitimprurëse që vitin 2025 po e mbyll me rreth 10 milionë euro fitim”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryeministri ka theksuar gjithashtu se Vala e Kosovës është shndërruar në lider në shërbimet e telefonisë mobile, me gjithsej 551 BTS të shpërndara në të gjithë territorin e Republikës, përfshirë 15 BTS në katër komunat në veri të Kosovës.
“Vala e Kosovës tash është lider në shërbimet e telefonisë mobile. I ka 551 BTS-a gjithandej Republikës, 15 në katër komunat në veri të Kosovës. E ka mbuluar vendin me 4G+ dhe 5G, i ofron publikut përmbajtje atraktive mediale dhe po ecën me hapa të shpejtë drejt zgjerimit të rrjetit fiks”, ka shtuar Kurti.
Ai po ashtu ka paralajmëruar se gjatë verës së vitit të ardhshëm, përmes një bashkëpunimi mes Televizionit Publik të Kosovës dhe Telekomit të Kosovës, Kampionati Botëror i Futbollit 2026 do të transmetohet në platformën kabllore TV Vala.
Në fund, Kurti ka përgëzuar menaxhmentin, bordin dhe punonjësit e Telekomit të Kosovës për rezultatet e arritura, duke u uruar atyre një vit të ri edhe më të suksesshëm./teve1.info/










