Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ritheksuar para disa senatorëve amerikanë kërkesat e Kosovës në raport me Serbia, gjatë takimeve në margjinat e Munich Security Conference.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë Milan Radoiçiqin për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë lidhur me sulmin në Banjskë. Po ashtu, ai ka theksuar nevojën që Serbia ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazike dhe ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabić, përmes së cilës ishte vënë në pikëpyetje respektimi i integritetit territorial të Kosovës.
Këto qëndrime, Kurti i ka paraqitur në një takim me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego.
Në takim është theksuar edhe mirënjohja ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleati kryesor i Kosovës. Sipas komunikatës, u diskutua për progresin demokratik dhe ekonomik të vendit, si dhe për orientimin euro-atlantik, me theks të veçantë në synimin për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Tri kërkesat e njëjta, Kurti ia kishte paraqitur edhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij në Kosovë në mesin e muajit janar. /teve1.info/







