Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se Kosova do jetë në mbështetje të Ukrainës si popull, si shoqëri e si institucione.
Në ceremoninë e ndarjes së letrave të falënderimit të Kosovës për gazetarët ukrainas, Kurti përmendi edhe shifrat e viktimave e të plagosurve deri më tani, derisa shtoi se për tu ruajtur paqja në kontinentin e Evropës, Ukrainë duhet të fitojë patjetër.
“Nga 24 shkurt 2022 deri më 12 shkurt 2023, Zyra e Komisionarit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë, ka regjistruar 18 mijë 955 viktima civile. Prej tyre 7 mijë e 199 të vrarë dhe 11 mijë e 756 të plagosur. Populli i Kosovës i kupton shumë mirë këto shifra, vuajtjet dhe dhimbjet që shkaktojnë në vitet e dekadat që vijnë. E në një ditë të zymtë si kjo, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë, përveç si strehë, do të jemi pranë Ukrainës si popull, si shoqëri, si institucione, si dje, si sot dhe si nesër. Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë, sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës”, deklaroi Kurti.
Njëkohësisht, në 1 vjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, Kurti theksoi se Kosova vazhdon ta dënojë fuqishëm agresionin rus në Ukrainë, raporton teve1.info.
“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ishte i pajustifikuar. Republika e Kosovës e kishte dënuar dhe vazhdon ta dënojë fuqishëm agresionin rus në Ukrainë. Vendosëm menjëherë sanksione dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5000 refugjatë nga Ukraina. Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ishte shokuese, por jo edhe befasuese”, shtoi Kurti tutje.
Kurti njëherit potencoi se sot janë bërë 1 vit i rezistencës së pashembullt të një populli liridashës./teve1.info/.