Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur tubimin e radhës në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan.
Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti që në këtë tubim erdhi me 45 minuta vonesë, lipjanasve u premtoi nisjen e programit për banim të përballueshëm, kolektorin e ujërave të zeza e shkollën e Mesme të Mjekësisë.
Ai po ashtu premtoi investime në ushtri, industri e bujqësi.
“Sikur ne sot këtu, edhe shteti i Kosovës po e forcon e zhvillon ushtrinë, po ia shton xhandarmërinë, krejt ne bashkë për shtetin e shteti për krejt, sepse ne të gjithë jemi të këmbët është e komandantit legjendar Adem Jashari. Na thanë më 9 shkurt se 42% nuk mjafton, i bëmë 51% e prapë thanë nuk bënë, prandaj le të rritemi edhe për 9%, ndoshta u del taman.Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë çerdhe, e aty ku s’ka çerdhe publike, me bono do t’i përkrahim që t’i çojnë fëmijët në çerdhe jopublike. Do t’i investojmë 1 miliard euro në katërvjeçarin e ardhshëm në prodhimtari. Po ashtu ‘Dritarja e diasporës’ do të jetë 100 milionë euro. Në katërvjeçarin e ardhshëm do t’i investojmë 1 miliard euro në ushtri. Tre llojë të dronëve i kemi blerë, të katërtin do ta bëjmë ‘Made in Kosova’. Kjo është mënyra se si i qëndrojmë besnik UÇK-së, duke e forcuar ushtrinë tonë. 5 diga, 4 hekurudha, 20 stadiume do të jenë në fokus tonin për transformimin industrial e ekonomik të Kosovës”, tha Kurti.
Kurti në këtë tubim foli edhe burësat dhe rritjen e buxhetit për studentët.
“Do ta dyfishojmë numrin e bursave, nga 20 milionë euro në 40 milionë euro, plus bursa e mobilitetit, aq më larg që studion, aq më shumë do t’i mbështetë shteti. Do t’i kemi 10 profile të reja për arsimin dual.. dhe rishikim të teksteve shkollore. Në shëndetësi secili e secila do ta ketë një kontrollë totale. Ne kemi nevojë ta marrim vesh shëndetin e popullsisë, e ky kontroll do të fillojë nga viti 2027. Do ta kemi edhe programin “Anembanë”, do ta themelojmë linjën tonë ajrore e do të investojmë edhe tek industria e shërbimeve digjitale. Në Lipjan, problemet që duhej zgjidhur do t’i adresojmë menjëherë. Projektet që do të mbështeten në mandatin e ri janë nisja e programit të përballueshëm, kolektori për ujëra të zeza, hapja e shkollës së Mesme së Mjekësisë. Në këto orët e mbetura, takoni të gjithë, qitjani pikën”, tha ai.
Nikoqiri i këtij tubimi, kreu i VV-së në këtë qytet, Adnan Rrustemi, tha se më 7 qershor, bashkë me qytetarët do të eci përpara për t’i tejkaluar pengesat.
“7 qershori është ditë tejet e rëndësishme, e bashkë do të ecim për t’i tejkaluar pengesat. Në këto vite të Qeverisë Kurti, shteti ka bërë hapa përpara, nga shtrirja e sovranitetit tek forcimi i ushtrisë e mbështetja për fëmijët. Këto arritje të jashtëzakonshme nuk mund të pengohen nga bllokada e pengesa çfarë i kemi parë muajt e fundit. Bllokuesit e shtetit nuk mund e nuk do të inkurajohen. Edhe më fuqishëm do ta bëjë më 7 qershor. Ne shikojmë përpara se përpara e kemi interesin e shtetit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale në Kosovë do të organizohen të dielën.







