Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur forcat policore të Serbisë, në bashkëpunim me grupin paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”, kryen spastrim etnik ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
Kurti theksoi se gjatë asaj nate, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, mijëra shqiptarë u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre dhe u detyruan të kalojnë në jug të lumit Ibër. Si pasojë e këtij aksioni kriminal, u vranë 10 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë, ndërsa viktimat ishin nga mosha 13 deri në 65 vjeç.
“Ky spastrim etnik ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një kohë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare”, tha Kurti.
Sipas tij, gjatë shkurtit të vitit 2000, Serbia, përmes strukturave të saj të sigurisë, arriti të dëbojë nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.
“Edhe pas 26 vjetësh, drejtësia për këtë krim të rëndë mbetet e paplotë. Viktimat dhe familjet e dëbuara vazhdojnë të jetojnë me pasojat e humbjeve dhe dëmeve të pësuara”, theksoi kryeministri në detyrë.
Ai shtoi se për më shumë se dy dekada, mijëra shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica nuk kanë pasur mundësi të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa procesi i kthimit ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional në veri të vendit.
Kurti bëri të ditur se gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, duke përmendur si shembull rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
“Sot, ndryshe nga viti 2000, Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku qytetarë të të gjitha komuniteteve, me përkushtimin e institucioneve për barazi, ligjshmëri dhe sundim të ligjit”, përfundoi Kurti.








