Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ripërsëritur se kryetarët e zgjedhur në veri janë kryetarë me “k” të vogël, e jo me “k” të madhe. Ai theksoi se nuk mund të thotë se kryetarët kanë legjitimetet të plotë, por që ligjshmëria duhet të zbatohet.
Kurti thotë se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë po ngec, për shkak se Beogradi nuk po dëshiron ta implementojë, përcjell teve1.info
“Është bindje e imja që presidenti i Serbisë i ka thënë po marrëveshjes për mos ta nënshkruar, dhe tani i ka rënë pishman që ka thënë po. Situata është e tensionuar për shkak se kemi një tekst goxha mirë të përgatitur, që është kthyer në një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë me njohjen defakto si esencë e saj…por që implementimi po ngec sepse Beogradi nuk dëshiron ta bëjë këtë…këta janë kryetarë me ‘k’ të vogël, jo me ‘k’ të madhe. Për shkak se dalja në zgjedhje ka qenë e ulët, pra nuk mund të them që kanë legjitimitet të plotë, por ligjshmëria, kushtetushmëria duhet të jetë e zbatuar”, ka deklaruar në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë .
Tutje, kreu i Ekzekutivit tha se për aq kohë sa do të ketë turma të dhunshme në veri, policët e Kosovës nuk do të largohen nga aty.
“Ata janë kryetarë, bashkësia ndërkombëtare e ka njohur procesin, ka njohur rezultatin, por kur këta kryetarë u desh të shkonin në zyrat e tyre në ndërtesat komunale që janë pronë e Republikës…kanë filluar turma të dhunshme që kanë sulmuar zyrtarët tanë policorë dhe ushtarët e KFOR-it…për aq sa do të ketë turma të tilla të dhunshme që kërcënojnë të sulmojnë, që bëjnë ato grafitet me ‘Z’, që tregojnë admirim për presidentin despotik Putin…duhet t’i kemi njësitë tona speciale në objektet komunale. Policia jonë po bën një punë tejet profesionale…nuk ka shkelje nga ana e Policisë tonë”, shtoi Kurti.
Situata në veri ka filluar të tensionohet që nga dita e premte e javës së kaluar, ku qytetarë të shumtë serbë kanë filluar protestat pas betimit të tre kryetarëve të rinj shqiptarë në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq. /Teve1.info/







