Në Mitrovicë është mbajtur Samiti Ndërkombëtar Rinor për Paqe 2026, i cili mblodhi të rinj nga vende dhe komunitete të ndryshme. Samiti u hap me valle tradicionale shqiptare të interpretuara nga grupi i Asamblesë “Shqipet e Vogla”.
Gjatë samitit u diskutua për paqen, bashkëjetesën, lirinë, barazinë dhe sfidat me të cilat përballet rinia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para pjesëmarrësve të samitit, theksoi se dashuria për kombin nuk duhet të shndërrohet në urrejtje ndaj të tjerëve. Ai u bëri thirrje të rinjve t’u përmbahen vlerave të lirisë, barazisë dhe së vërtetës, ndërsa veçoi inteligjencën artificiale si një nga zhvillimet që po ndryshon shoqërinë.
“Liria jonë u fitua nga njerëz që e donin atë thellësisht. Por kur dashuria për kombin e vet shndërrohet në urrejtje ndaj një tjetri, ajo kthehet në ultranacionalizëm autoritar, dhe kjo është pikërisht ajo që përhapin autokratët. Gjenerata juaj është fusha e tyre e lojës, dhe pyetja është se si t’ju fitojnë juve. Mbajuni fort pas lirisë, barazisë dhe së vërtetës. Ato janë të lehta për t’u humbur dhe të vështira për t’u rifituar, dhe çdo brez duhet t’i zgjedhë ato përsëri, se cila prej tyre do të përcaktojë se çfarë lloj bote do të sjellë shekulli i 21-të. Ndër megatrendët, teknologjia po lëviz më shpejt, dhe inteligjenca artificiale më shumë se çdo gjë tjetër”, tha Kurti.
Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke folur për historinë e Mitrovicës, tha se qyteti deri në vitin 1990 kishte qenë një qendër e rëndësishme industriale, kulturore dhe sportive. Ai përmendi edhe gjetjen e mbetjeve të 23 intelektualëve të zhdukur gjatë vitit 1999, duke theksuar se këto raste dëshmojnëpër pasojat e rënda të krimeve të luftës.
“Duhet kujtuar që Mitrovica, deri në vitin 1990, ishte një qendër e madhe industriale, me një rol të rëndësishëm edhe në jetën kulturore dhe sportive. Por ajo u shkatërrua nga politika agresive e Millosheviqit, e cila u pasua me krime dhe humbje të jetëve të civilëve të pafajshëm. Këto ditë, në rrethin e Mitrovicës, u gjetën mbetjet e 23 intelektualëve që ishin zhdukur nga regjimi serb në vitin 1999. Kjo dëshmon se sa të pashërueshme janë dhimbjet që la pas krimi shtetëror”, deklaroi Sejdiu.
Drejtoresha Ekzekutive e YSP Balkan dhe Koordinatorja e OKB-së për IAYSP EUME, Dr. Ejona Icka, u bëri thirrje pjesëmarrësve që përmes samitit të krijojnë kontakte të reja dhe të dëgjojnë rrëfime e këndvështrime të ndryshme.
“Shpresoj që në këtë samit, përtej çdo paneli dhe kësaj punëtorie, të ndodhë diçka edhe më e bukur dhe më e thjeshtë. Shpresoj që në këtë samit të takoni dikë nga një shtet tjetër, dikë që nuk e kishit menduar se do ta takonit. Shpresoj të dëgjoni një histori ndryshe nga e juaja, ose ndoshta një histori të ngjashme me tuajën. Shpresoj shumë që të vihen në pikëpyetje idetë, pikëpamjet dhe bindjet tona, por edhe të forcohen ato për të cilat jemi mbledhur këtu. Dhe, ndoshta, më e bukura nga të gjitha, shpresoj që një i panjohur nga një komunitet apo vend tjetër të largohet nga Mitrovica jo më si i panjohur, por si miku juaj”, tha Icka.
Samiti Ndërkombëtar Rinor për Paqe 2026 po zhvillohet në Mitrovicë me pjesëmarrjen e të rinjve nga vende të ndryshme, me qëllim të nxitjes së dialogut, mirëkuptimit dhe lidhjeve mes gjeneratave të reja.




