Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në 10-vjetorin e vdekjes së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Me këtë rast, Kurti ka deklaruar se kanë kaluar dhjetë vjet nga vdekja e Deharit, por ende nuk është zbardhur plotësisht e vërteta për rrethanat e vdekjes së tij dhe nuk është vendosur drejtësia.
Ai ka thënë se mungesa e Astrit Deharit ndihet jo vetëm nga familja dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, Republika e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi.
“10 vjet pa Astritin janë shumë, janë tepër shumë për familjen, për VV-në, për të gjithë ne që e njohëm e bashkëpunuam me të, por janë edhe shumë për Republikën e Kosovës dhe mbarë shqiptarët, sepse mungon edhe e vërteta e mbytjes së tij dhe drejtësia për të”, ka deklaruar Kurti para mediave.
Kreu i ekzekutivit ka ngritur gjithashtu shqetësime për mënyrën se si është trajtuar rasti gjatë këtyre dhjetë vjetëve, duke theksuar se ende nuk dihet kush është përgjegjës për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes.
Sipas Kurtit, gjatë hetimeve janë ndërruar pesë prokurorë, ndërsa ai ka kritikuar edhe deklaratat e institucioneve përgjegjëse të kohës, të cilat, sipas tij, kishin dhënë konstatime për rastin pa përfunduar hetimet.
“10 vjet më vonë ne nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit, pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij, të shtunën e 5 nëntorit 2016, institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë së asaj kohe ishin nxituar të japin konstatime para hetimeve”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se kërkesa për zbardhjen e rastit dhe vendosjen e drejtësisë do të vazhdojë, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet e drejtësisë.
“Astriti na mungon shumë, veçse edhe ne nuk do të ndalemi duke kërkuar drejtësi për të dhe si institucione, si zyrtarë shteti, si qytetarë republike jemi më shumë se të gatshëm që të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e drejtësisë, në mënyrë që edhe të zbardhet e vërteta edhe të vihet në vend drejtësia”, ka deklaruar Kurti.







