Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se planin frano-gjerman e ka konsideruar bazë të mirë për diskutim, pasi sipas tij, ai parasheh njohjen e Kosovës nga Serbia, në një të ardhme të afërt.
Ai në debatin parlamentar për dialogun të thirrur nga PDK-ja ka thënë se njohja e Kosovës nga ky plan është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Kurti ka treguar disa pika se përse e ka vlerësuar si bazë të mirë këtë plan.
“Propozimi për herët të parë vendoste në fokus raportet e jashtme mes Kosovës dhe Serbisë. Bazohej në raportin e reciprocitetit në mes dy palëve. Ka një gjuhë të qartë që reflekton standardin e rregullimit ndërshtetëror të raporteve politike e juridike ndërmjet shteteve tona. Përherë të parë ngërthen në vete njohjen de facto të shtetësisë të palëve ndaj njëra –tjetrës. Propozimi përmbante që një marrëveshje finale me njohje de jure në të ardhmen e afërt, dhe do të jetë detyrim për Serbinë para anëtarësimit në BE”, ka thënë Kurti, raporton teve1.info.
Ai ka thënë se e vetmja pikë kontestuese nga ky plan është zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit për të cilin ka thënë se mund të formohet vetëm me zbatimin e gjashtë pikave të propozuara nga ai.
Kurti ka thënë se që nga marrja e Qeverisë në strategjinë e tyre për dialog kanë qenë dy pika bazë, njohja e ndërsjellët dhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara, duke mos diskutuar për çështjet e brendshme të Kosovës dhe siç ka thënë ai menaxhimin e krizave.
Kryeministri tha se insistimi i Kosovës për të diskutuar në këto dy pika solli edhe planin franko-gjerman.
“Borrellit e Vuçiqit ia bëra të qartë se Kosova nuk do të pranojë dialog që nuk ka për qëllim njohjen e ndërsjellë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se me 20 janar emisarët e Gjermanisë dhe Francës që kishin ardhur bashkë me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, kanë dhënë disa qëndrime.
Sipas tij, ata e kanë bërë të qartë se plani është fare pranë propozimit “merre ose leje”./teve1.info/