Para se të hyjë në Kompleksin Memorial, u prit nga disa nga të mbijetuarit e këtij krimi mizor.
Krahë për krahë me vëllaun e komandantit legjendar të UÇK-së, Rifat Jashari, kryeministri Albin Kurti vizitoi varret e të vrarëve në Masakrën e Izbicës.
Fillimisht, tek pllaka përkujtimore bashkë me Jasharin vendosën kurora lulesh.
E në shenjë solidarizimi me viktimat, u mbajt edhe një minutë heshtje.
Më pas, kryeministri Kurti përshëndeti edhe disa nga familjarët e të vrarëve në këtë masakër.
Nga aty, ai shprehi pakënaqësitë e tij me Prokurorinë e Shtetit që sipas tij nuk po bën mjaftueshëm për arrestimin e personave që kryen krime.
“Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur e sistemi i drejtësisë në përgjithësi edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për Masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, me qenë se kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë. Prokurorët i kanë pagat e mira, i kanë gjithashtu edhe kushtet e favorshme të punës”, u shpreh Kurti.
Derisa kërkoi drejtësi për viktimat, u shpreh se duhet më shumë punë nga sistemi prokurorial i vendit për zbardhjen e këtyre krimeve.
“Pra, kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar janë të ndërlidhura, andaj Prokuroria e Shtetit duhet të bëjë gjithçka di e mundet. Mbështetjen e Qeverisë së Republikës e ka të plotë, të parezervë e të pa kursim që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë, shqiptarët civilë të vendit tonë, autoktonë që e donin tokën e vetë edhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, ashtu që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët”, tha Kurti.
Bashkë me Kurtin, pjesë e homazheve ishin edhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar.