Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka marrë pjesë në eventin e organizuar nga Ambasada e Kroacisë në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Kroacisë.
Siç thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka theksuar se dy shtetet janë aleatë në paqe, demokraci, në rrugën dhe fatin e përbashkët evropian.
Gjithashtu, ai ka përmendur edhe komunitetin kroat në Kosovë dhe diasporën shqiptare në Kroaci për të cilat ka thënë se shërbejnë si ura të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.
“Kosova dhe Kroacia ndajnë lidhje të thella – të historisë, miqësisë dhe vlerave të përbashkëta. Kroacia ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Mbështetja juaj – politike, morale dhe praktike – ka qenë e palëkundur që atëherë. Për këtë, ne jemi thellësisht mirënjohës”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Në ditën e rëndësishme të popullit dhe shtetit kroat, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, Kurti ka shprehur urimet për presidentin, Zoran Milanović, kryeministrin, Andrej Plenković dhe të gjithë qytetarët kroatë.
Në fund, ai ka theksuar që dy vendet së bashku, mund të kontribuojnë për një rajon të lirë, demokratik dhe të ankoruar fort në vlerat euroatlantike, duke shtuar se do të vazhdojnë të thellojnë lidhjet dypalëshe në tregti, arsim, kulturë dhe mbrojtje.