Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, në kuadër të qëndrimit të tij në New York.
Në takim, Kurti ka ngritur edhe çështjen e aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Kurtit, ai ka shprehur shqetësimin për dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar procesin si jo tërësisht transparent.
Ai ka thënë se Kosova do të angazhohet që procesi dhe verdikti të korrigjohen në shkallën e Apelit.
“Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohem në shkallën e apelit. Ushtria Çlirimtare Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive e spastrimit etnik nga Serbia dhe lufta e saj për liri ishte e drejtë dhe e pastër. Serbia ishte agresori me plan gjenocidal. Qindra mijëra qytetarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe mijëra u vranë, ndërsa rreth 20 mijë gra e burra konsiderohen viktima të dhunës seksuale që u përdor si armë lufte. Shumë krime të forcave serbe mbeten ende pa u ndëshkuar”, ka deklaruar Kurti në takimin me Kallasin në në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.
Në takim, Kurti ka ngritur edhe çështjen e sulmit në Banjskë, duke kërkuar përkrahjen e Bashkimit Evropian për t’i bërë trysni Serbisë lidhur me përgjegjësinë e personave të përfshirë në sulm.
“Pasnesër, më 24 shtator, mbushen tre vjet nga agresioni i Serbisë dhe sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Ndërkohë, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, ka theksuar ai.
Një tjetër çështje e ngritur nga Kurti ishte gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës ‘të cilët në Serbi nuk gëzojnë të drejta të barabarta’
Ai ka pretenduar se shqiptarët në Serbi përballen me nënpërfaqësim institucional dhe me atë që e ka quajtur “spastrim etnik administrativ” përmes heqjes së adresave.
“Teksa fqinji ynë verior sikur qëndron mes Rusisë e Kinës, duke i kthyer shpinën vlerave demokratike dhe duke kthyer kokën vetëm për fondet e BE-së, Republika e Kosovës është strategjikisht e përcaktuar dhe e palëkundur në rrugën e saj të integrimit evropian dhe euro-atlantik. Jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuajse të gjitha fushat dhe jemi të gatshëm të punojmë edhe më shumë, andaj përgjigjja e duhur dhe e domosdoshme e Brukselit do të ishte dhënia e statusit të vendit kandidat për anëtarësim”, ka thënë Kurti./teve1.info/




