Sipas tij, këto dy ligje janë një hap përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë, përcjell teve1.info
“Ligji për Zyrtarët Publik dhe ai për Pagat në Sektorin Publik, dy pjesë të të njëjtit projekt, jane një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë. I falënderoj të gjithë deputetët dhe deputetet që mbështetën sot me votën e tyre këto dy ligje bazë për reformën në administratë publike”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka theksuar se përmes Ligjit për Zyrtarët Publik do të ngriten kapacitetet e administratës publike për të dhënë shërbime të shpejtja e cilësore për qytetarët.
Sa i përket Ligjit të Pagave, kreu i Ezekutivit ka thënë se dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët është në 4.57 herë.
“Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës: Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë. Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë. Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë. Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Ligji për Zyrtarët Publik dhe ai për Pagat në Sektorin Publik, dy pjesë të të njëjtit projekt, jane një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë.
I falënderoj të gjithë deputetët dhe deputetet që mbështetën sot me votën e tyre këto dy ligje bazë për reformën në administratë publike.
Përmes këtij ligji, ne do ta ngrisim profesionalizmin e administratës publike, si dhe kapacitetet e saj për të dhënë shërbime të shpejta e cilësore, për shtetin e qytetarët.
Me Ligjin për Zyrtarët Publik kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:
– Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;
– Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e rejat);
– Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;
– Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;
– Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;
– Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civil duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave si Young Cells Scheme);
– Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;
– Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.
Ndërsa Ligji i Pagave në Sektorin Publik themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi.
Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë. Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës:
– Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.
– Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë.
– Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë.
– Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt.
Shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë sesa paga më e ultë, dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë sesa paga mesatare e përllogaritur sipas Ligjit të Pagave.
Duke falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet tona, u sigurojmë që reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin tonë për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase.