Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje synon një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.
Kurti ka thënë se kandidati për president duhet të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje të gjerë politike dhe qytetare, si dhe me kontribut të dëshmuar në profesion dhe në shoqëri.
“Ju e keni parasysh që qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, është që presidenti i ardhshëm ose presidentja e ardhshme të jetë konsensual, pra gjithëpërfshirës, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend e në popull; të jetë një personalitet që ka merita e kontribut, vlera kombëtare, qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e në shoqëri”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Vetëvendosje është e gatshme të zhvillojë diskutime me të gjitha partitë politike për të gjetur një emër që mund të bashkojë spektrin politik dhe shoqërinë.
Ai ka vlerësuar se zgjedhja e presidentit paraqet sfidën kryesore në procesin e formimit të institucioneve, ndërsa ka theksuar se për këtë çështje nevojitet dakordim politik.
“Dhe përveç kësaj, dëshirojmë që për këtë të merremi vesh paraprakisht, në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e Kryesisë së Kuvendit, formimi i qeverisë nuk janë sfida. Sfidë është zgjedhja e presidentit. Prandaj ne duhet të merremi vesh për zgjedhjen e presidentit.Jemi të hapur për të bërë diskutime shteruese që të vijmë deri tek emri apo emrat, të cilët do t’ju japim nënshkrimet të kandidojnë dhe të zgjidhen më pastaj. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese, sepse në Kushtetutën e Kosovës shkruan që Presidenti i Republikës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit”, ka shtuar Kurti.
Kurti ka folur edhe për negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se Vetëvendosje i ka ofruar kësaj partie pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Ai ka deklaruar se, në rast të zgjedhjes së një presidenti konsensual, LDK-së do t’i ofrohej edhe pozita e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri.
Ndërsa, nëse kandidati për president do të ishte Glauk Konjufca, sipas Kurtit, oferta do të përfshinte zëvendëskryeministrin dhe katër ministri.
“Ne ja kemi ofruar Lidhjes Demokratike të Kosovës kryeparlamentarin, kryetarin e Kuvendit. Gjithashtu kam deklaruar edhe në takime, edhe jashtë tyre, që ne jemi për president konsensual. Pra, nga tri pozita të larta shtetërore, Vetëvendosja tashmë ka zbritur në vetëm një — te kryeministri. Presidenti konsensual, kryeparlamentari LDK-ja. Kur e pamë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani. Me fjalë të tjera, nëse Vetëvendosja do ta kishte kandidatin për president — e ju e dini që ishte Glauk Konjufca — atëherë Lidhja Demokratike e Kosovës ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Ndërkaq, nëse kandidati për president është konsensual, ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri. Sepse Vetëvendosja po heq dorë prej presidentit dhe ta ketë zëvendëskryeministrin e tri ministri. E nëse është Glauku, zëvendëskryeministrin e katër ministri”, ka thënë ai.
Megjithatë, LDK-ja ka bërë të ditur se synon të qëndrojë në opozitë.
Kurti ka thënë se do të preferonte që kjo parti të bëhej pjesë e bashkëqeverisjes dhe të arrihej një marrëveshje politike.
“Pozita e kryetarit të Kuvendit është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është konsideruar ceremoniale. Unë besoj që është dashur që ta marrin atë pozitë. E ndjeka edhe mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha që LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Unë besoj që LDK-ja është dashur të vijë në bashkëqeverisje, ta kemi një marrëveshje politike.Nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve 53 me 18, por edhe deformimi i rezultatit nuk mund të jetë. Pra, me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”, është shprehur Kurti.
Në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit, Kurti ka përshëndetur edhe kërkesën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që në diskutime të përfshihen të gjitha partitë politike.
Sipas tij, një qasje e tillë do ta bënte procesin më gjithëpërfshirës dhe do të rriste mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje që do të shmangte zgjedhjet e reja.
“Tash, unë e përshëndes thirrjen e kryetarit Abdixhiku që edhe partitë e tjera — gjithëpërfshirës të jetë presidenti, pra të mos jenë veç dy subjekte, vetëm Vetëvendosja edhe vetëm LDK-ja, të jenë edhe të tjerët”, ka përfunduar ai.








