Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën për media deklaroi se deputetët që munguan në seancën e mbrëmshme për zgjedhjen e presidentit, nuk e kanë njoftuar kryetaren e Kuvendit për arsyet e mungesës, duke theksuar se pjesëmarrja në seanca plenare është obligim kushtetues i tyre.
Ai tha se kjo çështje tashmë është dërguar në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila pritet ta trajtojë materien që lidhet me mosmarrëveshjet dhe kërkesat e paraqitura.
Sipas Kurtit, procesi ende nuk ka arritur në fazën përfundimtare.
“Mbrëmë vetëm sa filluam me raundin e parë dhe nuk jemi aspak te përfundimi i raundit të tretë. Duhet të ketë dështim në raundin e tretë që të shpërndahet Kuvendi dhe të përgatitemi për zgjedhje të reja”,tha ai.
Kryeministri shtoi se sot është 6 mars dhe ende nuk është përmbushur kriteri kushtetues prej 60 ditësh për shpërndarjen e Kuvendit.
Në këtë situatë, sipas tij, një dekret për shpërndarjen e Kuvendi i Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk do të ishte në përputhje me Kushtetutën, pasi kjo kompetencë mund të ushtrohet vetëm në rastet e përcaktuara nga Kushtetuta.
Kurti bëri të ditur gjithashtu se sot në orën 14:00 ishte planifikuar që Kuvendi të mbajë edhe një seancë tjetër, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit.
“Asnjë deputet i cili ka munguar në seancën e mbrëmshme nuk e ka njoftuar kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiun për arsyen e mungesës, prandaj kjo lëndë është në Gjykatën Kushtetuese, është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seancat plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë. Kemi mos pajtime dhe kërkesë para Gjykatës Kushtetuese, kanë një materie të cilën tash duhet ta trajtojnë, mbrëmë ne vetëm sa filluam me raundin e parë e kurrsesi nuk jemi tek përfundimi i raundit të tretë. Duhet të ketë dështim në raundin e tretë që të shpërndahet Kuvendi dhe të përgatitemi për zgjedhjet e reja, sot jemi më 6 mars dhe nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh, në këtë situatë të tillë dekreti për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara nga Kushtetuta. Në orën 14:00 sot ka qenë e planifikuar që Kuvendi të mbajë edhe një seancë të cilat do të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare në të mirë të vendit”, ka deklaruar Kurti në konferencë për media./teve1.info/







