Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se sektori i bujqësisë po kthehet në një pasuri të re për Kosovën.
Sipas tij, ky sukses padyshim është rezultat i qeverisjes së mirë të ministrit të linjës, Faton Peci.
“Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 – një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë. E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti ka përmendur edhe rezultatet në bujqësi dhe blegtori të cilat sipas tij e kanë bërë të suksesshëm këtë sektor.
“Për herë të parë, janë ndarë 300 milionë euro për 120 mijë fermerë përmes granteve dhe subvencioneve, me ç’rast mbështetja për grurin është rritur me 275%, e për bujqësinë organike me 500%. Janë rehabilituar sisteme ujitjeje për mbi 11 mijë hektarë dhe është rritur për 50% toka e punueshme bujqësore për vetëm katër vjet – nga rreth 80 mijë hektarë në mbi 120 mijë hektarë. Prodhimi vendor dhe konkurrueshmëria e produkteve tona në tregje të huaja është rritur. Nga viti 2019 deri më sot, eksporti i domateve, zarzavateve dhe perimeve të konservuara është shumëfishuar. Në blegtori kemi ndarë mbi 13 milionë euro për ndërtimin e 93 stallave të reja, shtimin e mbi 2,000 krerëve gjedhe dhe blerjen e dhjetëra traktorëve. Për herë të parë janë kthyer në pronësi të shtetit prona me vlerë miliona euro, të cilat më parë ishin tjetërsuar në mënyrë të paligjshme. Kemi kthyer besimin te ligji, te drejtësia dhe te mbrojtja e pasurisë publike. 30 mijë fermerë në baza vjetore janë dëshmitarë përfitues të angazhimit të ministrisë dhe qeverisë në përgjithësi”, ka theksuar ai.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është intervistuar nga Prokuroria Speciale për gati pesë orë në cilësinë e të dyshuarit për dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.
Prokuroria Speciale po e interviston Pecin në cilësinë e të dyshuarit