TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!

Kur humbja krijon kampionë: Historia e ringritjes së Driton Kukës

by tëvë1
1 orë ago
0
A A
Kur humbja krijon kampionë: Historia e ringritjes së Driton Kukës

Në pjesën e dytë të serisë me tre episode, Driton “Toni” Kuka rrëfen momentin që pothuajse i dha fund karrierës së tij si trajner, ringritjen që pasoi dhe përgatitjen milimetrike që solli medalje olimpike ari në skenën më të madhe të sportit botëror.

Çdo trajner ka një moment që e përcakton, një provë zjarri që ose e thyen, ose e farkëton më të fortë. Për Kukën, ai moment erdhi në Londër 2012, në mënyrën më të papritur dhe më shkatërruese.

“Ishin Lojërat e mia të para Olimpike. Garuam për Shqipërinë në vitin 2012,” nis Toni, me një zë që mban ende peshën e një kujtimi që djeg edhe pas më shumë se një dekade. “Majlinda e fitoi ndeshjen e parë kundër vajzës nga Finlanda, një kundërshtare shumë e fortë. Pastaj u ndesh me një vajzë nga Mauritiusi, në një duel ku Majlinda normalisht ishte favorite.”

Ajo që ndodhi më pas, për Tonin, ende duket e pabesueshme.
“Në minutën e parë ajo shënoi waza-ari dhe u bë paksa euforike. Pak më vonë, ra për ippon. Për mua, i gjithë botën… [ndalet], në mendjen time dukej si një ëndërr e keqe, diçka që nuk mund të ndodhte.”

Pasojat ishin të menjëhershme dhe të ashpra.
“Shkuam në zonën e nxehjes. Isha vetëm pranë saj. Godita pjesën e pasme të kokës në mur dy apo tre herë. Thosha: ‘Pse këtu?’ Ajo nuk fliste. Qante. Unë isha shumë i dëshpëruar. U ndjeva tmerrësisht keq.”

Pesha e pritshmërive e përkeqësoi gjithçka.
“Në këtë garë, pritshmëritë për Shqipërinë ishin që ajo të fitonte medalje dhe imagjinoni: Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, Presidenti i Kosovës, Kryeministri i Kosovës ishin të gjithë aty, ulur me Presidentin Vizer… dhe ne humbëm.”

Zëri i Tonit bie ndërsa vazhdon.
“U ndjeva shumë keq, sikur fajin e kisha unë për gjithçka. Si person, kam ego të fortë. Kështu jam rritur, nga familja ime. Jam i kujdesshëm të mos flas keq për askënd, por nëse dikush më kritikon, ose nëse bëj gabim, e kam shumë të vështirë ta pranoj. Në garë, ishte jashtëzakonisht e vështirë ta pranoja këtë humbje. Të humbësh nga atletë të nivelit të lartë? S’ka problem… por kështu dhe në Lojërat e mia të para Olimpike…”

Pasoi një errësirë që Toni nuk e kishte parashikuar.
“Pas kësaj, mendova se nuk do të isha më kurrë në gjendje të përballesha me gjithë ato shtete, me gjithë ata shqiptarë në Kosovë, në Shqipëri, sepse shqiptarë ka kudo. Mendova: kaq ishte për mua. Mendova se nuk do të përballesha më kurrë me mediat. Mendova se ishte fundi i jetës sime në xhudo.”

Për tre deri në gjashtë muaj, Toni u zhyt në krizë. Humbja ishte e dhimbshme, por ajo që erdhi më pas ishte edhe më keq.
“Sigurisht, gara ishte e tmerrshme, por komentet pas saj ishin edhe më të rënda: ‘Ajo ishte mësuar të luftonte vetëm në gara të lehta. Kjo nuk është njësoj. Medaljet i fitonte lehtë.’ Ka pasur aq shumë komente negative, nga kaq shumë njerëz. Ajo ishte në një gjendje edhe më të keqe se unë.”

Pika e Kthesës

Pastaj erdhi biseda që ndryshoi gjithçka.
“I thashë: ‘Shiko, ti humb, unë humb. Kjo është pjesë e punës sonë. Kjo është realiteti ynë – fitore ose humbje. Jemi ti dhe unë. Le të punojmë për të fituar, për të luftuar, por nga sot kemi federatën tonë, familjen tonë të vogël. Nuk na interesojnë mediat, njerëzit e tjerë, politika, presidentët, asgjë. Ne duam të luftojmë dhe të bëjmë xhudo për mua, për ty dhe për njerëzit rreth nesh. Nuk na intereson çfarë thonë të tjerët.’”

Majlinda dhe Toni bënë një pakt. Do të izoloheshin nga presioni i jashtëm dhe do të përqendroheshin vetëm te puna.
“U shkëputëm nga gjithçka. Filluan të punonim jashtëzakonisht fort dhe rezultati i madh erdhi vitin pasues. Në vitin 2013, ajo u bë kampione bote – kampionia e parë botërore në historinë e Kosovës.”

Toni buzëqesh lehtë.
“Pastaj, njerëzit harrojnë gjithçka. Papritur është ‘Ah po!’ dhe vazhduam përpara.”

Megjithatë, momenti i Londrës ende e ndjek.
“Ishte shumë i vështirë. Lojërat e para Olimpike, kundërshtarja nuk ishte mes favoriteve dhe humbja ndaj saj – e fajësova shumë veten. I thosha vetes: ‘Jam një trajner budalla. Nuk dija ta menaxhoja programin, sistemin…’”

Ai kërkonte përgjigje atje ku ndoshta nuk kishte.
“Analizoja gjithçka, gjithçka, por në fund është sport, ndodh. Por atëherë isha në Lojërat e mia të para Olimpike, një trajner pa përvojë olimpike.”

Rio: Shpëtimi nga izolimi

Mësimet nga Londra formësuan gjithçka për Rio 2016.
“Katër vitet pasuese ishim shumë të kujdesshëm. Në Rio nuk shkuam me atletët e tjerë. Nuk shkuam me askënd. Shkuam vetëm unë me Majlindën dhe Norën – ato luftonin. Distria ishte sparing-partnere e Majlindës. Vetëm ne të katërt në avion dhe Agroni si president. Askush tjetër.”

Qasja e Tonit ishte e prerë.
“I thashë Presidentit të Komitetit Olimpik: ‘Mos më shqetësoni, as ju e as askush tjetër. Nuk dua të shoh njeri.’ Ai bëri gjithçka për mua dhe i jam shumë mirënjohës, sepse u tha të tjerëve: ‘Lëreni Tonin dhe ekipin e tij të qetë. Edhe nëse i shihni në restorant, shkoni diku tjetër.’”

Flluska ishte e plotë.
“I thashë Majlindës, Norës dhe Distrisë: ‘Kjo jemi ne. Nëse fitojmë medalje, është puna jonë. Nëse humbim, përgjegjësia është e jona.’ Dhe ndodhi. Ndodhi – ari olimpik.”

Rio 2016, sipas Tonit, e formësoi përfundimisht.
“Ato Lojëra Olimpike në Rio më ndërtuan psikologjikisht si trajner, ashtu si edhe atletët e mi. Pas kësaj, e bëmë njësoj për Tokion dhe njësoj për Parisin. Ata e dinë si punoj. Fituam pesë medalje olimpike në tri Lojëra Olimpike radhazi, përfshirë tri të arta. Kjo është mënyra ime e punës. Kështu fitojmë medalje dhe sa kohë që jam trajner, kështu do të vazhdojmë.”

Milimetra dhe Minuta

Kur Toni flet për përgatitjen, nuk e ka metaforikisht.
“Kjo është shumë e rëndësishme. Atletët shpesh mendojnë tepër dhe këtu unë punoj me milimetra. Koha e stërvitjeve, deri në minutë. Ndonjëherë, më besoni, numëroj edhe metrat nga zona e nxehjes deri te tapeti i ndeshjes. Për mua, çdo gjë ka rëndësi.”

Ky obsesion për detajet i jep siguri.
“Kur i bëj të gjitha këto dhe i hedh në letër, kjo më jep besim se kam bërë 100% gjithçka që duhet për të fituar medalje olimpike. Duhet të jemi medalistë olimpikë dhe ekipi im më beson, sepse gjithmonë ua shpjegoj: ‘Ne bëjmë 100% gjithçka që është e nevojshme. Kjo është mënyra ime.’”

Tokio: Kulmi

Nëse Rio ishte shpëtim, Tokio ishte perfeksion – por për Distria Krasniqin, gati sa nuk ndodhi.

“Për Distrinë kishte një situatë shumë të rëndësishme për Lojërat Olimpike të Tokios. Bëmë një pjesë të përgatitjes në male, shumë të fortë. Tre javë ose një muaj më pas – nuk e mbaj mend saktë, por e kam të shkruar,” – buzëqesh ai me krenari – “ishte Kampionati Botëror.”

Botërori i Budapestit 2021 ra në një moment të vështirë të ciklit olimpik.
“U thashë: ‘Shikoni, ju jap lirinë të zgjidhni. Nëse doni të luftoni, është në rregull, por nuk do ta prishim sistemin e kulmimit për Lojërat Olimpike për shkak të kësaj gare.’”

Distria vendosi të garojë. Toni e dinte rrezikun.
“Ajo ishte pak e lodhur. E dija që do të ishte vetëm 50–60% e formës së saj më të mirë. Doli e pesta. E shihja që po binte shpejt në peshë dhe natyrisht po humbiste masë muskulore. Kjo ishte shqetësuese.”

Pasoi një punë jashtëzakonisht e detajuar në ushqyerje dhe çdo element tjetër që duhej të përputhej për të arritur kulmin. Konfirmimi erdhi në peshim në Tokio.
“Dy ose tre ditë para Olimpiadës, shkuam në peshim, Distria, unë dhe ekipi. Kur u ngjit në peshore me peshën e saj normale, kur pashë fizikun e saj – mendoj ishte 48.8 kg ose 49.5 kg, edhe këtë e kam të shkruar – ajo ishte muskul i pastër, si një bllok solid nga koka te këmbët. I thashë vetes: ‘Faleminderit. Kjo është punë e mirë.’”

Megjithatë, emocionet i mbajti për vete.
“Nuk ia thashë këtë Distrisë, sepse nuk doja të flisja për këto gjëra para Olimpiadës. Në Botëror isha i shqetësuar, por thashë: ‘Lufto. Çfarëdo që të ndodhë, ndodh. Kulmi është planifikuar për më vonë.’ Fatmirësisht, kur e pashë ditën e garës në Tokio, i thashë: ‘Distria, sot do t’i mundësh të gjitha. Sot do të jesh një person tjetër.’”

Dhe ashtu ndodhi.
“Ajo i mundi të gjitha. I hodhi të gjitha. Ishte absolutisht e jashtëzakonshme atë ditë. Edhe Nora garoi shumë mirë. Majlinda po përballej me shumë probleme në atë periudhë.”

Ajo që thotë Toni më pas tregon madhësinë e Tokios 2021.
“Më beso, të pestët. Mendoj se Tokio ishte puna më e mirë e jetës sime. Nuk besoj se mund të ndërtoj sërish një ekip si ai i Tokios, sepse Distria, Majlinda, Nora, Akili dhe Loriana – secili prej tyre kishte potencial për medalje ari. Jam i sigurt për këtë dhe ata ishin gati.”

Ai e dinte se ishte e pamundur që të ndodhte gjithçka.
“Sigurisht, e dija që nuk mund të ndodhte e gjitha – është sport. Por të fitosh dy medalje ari në Japoni, në kategori ku Japonia dominon, -48 kg dhe -57 kg, ishte e jashtëzakonshme. Në fund, ishim kombi i dytë në tabelën e medaljeve: Japonia fitoi nëntë të arta, ne fituam dy. Ishim përpara Francës, përpara Gjeorgjisë – dhe kjo është diçka e madhe.”

Zëri i tij zbutet, shikimi i largohet.
“Shpresoj të ndodhë, por nuk besoj se do të ndodhë përsëri. Nuk e di. Është shumë e vështirë të përsëriten gjëra të tilla. Xhudo është sport shumë i fortë. Kombinoji këto dyja dhe bëhet jashtëzakonisht e vështirë.”

Dilema e Kalendarit

Duke u kthyer te LA 2028, kalendari i kualifikimit sjell sfida të reja. Si izgjedh Toni garat, duke shmangur dëmtimet dhe lodhjen mendore?

“Në të kaluarën, kam pasur atletë që fitonin medalje pothuajse kudo. Në atë rast, është shumë më e lehtë, sepse brenda një viti zgjedh gjashtë deri në tetë gara, mbledh pikët dhe nuk i ndjek ato.”

Por ky cikël është ndryshe.
“Këtë vit, siç e përmendëm, kam disa atletë të rinj. Ata do të duhet të bëjnë një maratonë garash dhe nuk do të jetë e lehtë. Një pjesë e madhe e punës është zgjedhja e garave të duhura në kohën e duhur, për të kulmuar siç duhet dhe për të qëndruar pa dëmtime. Me këtë nivel kaq të lartë konkurrence, është shumë e vështirë, por do të përpiqemi.”

Strategjia e tij është pragmatike.
“Tani është koha për t’i ndërtuar gjërat. Shpresoj të ia dalim pa dëmtime, por gjithmonë është një ekuilibër i brishtë – t’i shtysh shumë apo t’i mbash larg nga garat. Xhudo është sport i fortë dhe dëmtimet ndodhin.”

Gjashtëmujori i parë është vendimtar.
“Nëse arrijmë të performojmë mirë në fillim të periudhës së kualifikimit, gjithçka bëhet më e lehtë. Gjashtë muajt e parë janë kyç. Nëse arrijmë të fitojmë dy ose tre medalje në katër ose pesë garat e para, kemi bërë punë të mirë.”

Suksesi i hershëm krijon hapësirë.
“Nëse kemi shtatë ose tetë muaj për të siguruar edhe dy apo tre rezultate të tjera, atëherë mund të jemi selektivë. Për atletët që mendoj se mund të kualifikohen, por që ende nuk janë në majë, do të shohim. Gjithçka varet nga fillimi i tyre.”

Momenti Historik

Kthehemi pas në kohë. Është viti 2026. Kanë kaluar dhjetë vjet nga momenti kur Majlinda Kelmendi fitoi medaljen e parë olimpike të Kosovës në Rio 2016 – dhe jo çfarëdo medaljeje, por ari. Kampione olimpike.

Duke parë fotografinë e asaj dite – ceremonia, flamuri, emocioni – çfarë ndjen Toni?

“Ishte një moment shumë i rëndësishëm. Menjëherë pas finales, që nga momenti kur Majlinda e fitoi ndeshjen, mendoj se për rreth dy orë pata një lloj ‘blackout’-i mendor. Vetëm kur shoh fotografitë, kuptoj çfarë ka ndodhur.”

Ai mban mend vetëm fragmente.
“Mbaj mend vetëm një gjë. Presidenti i vendit tonë ishte ulur në tribunë dhe unë shkova ta merrja për foto. Sigurimi nuk e lejoi të zbriste, siç është normale sipas protokollit, por unë isha aq emocional sa i thirra Sheldon-it [Franco Rooks]. I thashë: ‘Pse? Ky është Presidenti ynë. Ky është ari olimpik. I pari për Kosovën.’ Dhe ai tha: ‘Në rregull, do ta rregulloj.’ Dhe Sheldon na e bëri këtë nder.”

Fotografia që rezultoi është sot historike.
“Janë ato momente të çmendura. Kanë kaluar 10 vjet. Momente të pabesueshme.”

Çfarë do t’i thoshte vetes së tij më të ri në atë foto? Përgjigjja vjen menjëherë.
“Nuk e di pse ndihesha aq krenar. Ishte i njëjti President si në 2012. Doja t’i tregoja – jo atij personalisht, por Presidentit si përfaqësues i vendit dhe i popullit tonë – se Londra ishte vetëm një aksident dhe ne e provuam këtë. Ishte momenti kur u ndjeva jashtëzakonisht krenar për veten, ekipin tim, familjen time dhe mbi të gjitha për vendin dhe kombin tim.”

Rritja përmes Zjarrit

Nga ai moment në 2016 deri sot, sa është rritur Toni si trajner dhe si njeri?

“Sigurisht, atëherë isha shumë emocional, shumë euforik, plot energji. Mendoj se si trajner bëja më shumë gabime se tani. Tani kam përvojën për t’i menaxhuar gjërat më mirë për të gjithë ne – jo vetëm aspektin e xhudos, por gjithçka. Përvoja të ndryshon edhe si njeri.

“Në atë periudhë, ndonjëherë isha shumë i ashpër me atletët e mi, shumë i rreptë në disiplinë. Tani përpiqem të jem më shumë taktik. Atëherë shihja vetëm një rrugë. Tani është ndryshe, krejtësisht ndryshe.”

Në episodin e fundit, Toni flet hapur për koston personale të suksesit olimpik, sakrificat që e ndjekin ende, momentin kur ishte pranë largimit, barrën e shëndetit mendor në nivelin më të lartë të sportit dhe pse adrenalina e sportit elitar mund të jetë një varësi që nuk do ta thyejë kurrë.

ShareTweet

Postime të ngjashme

Sabalenka në gjysmëfinale, gati të mbrojë titullin në Australian Open

Sabalenka në gjysmëfinale, gati të mbrojë titullin në Australian Open

Kryeprokurori Gashi: 15 kryesues në Malishevë janë ndaluar për 48 orë

Kryeprokurori Gashi: 15 kryesues në Malishevë janë ndaluar për 48 orë

Tyson Fury kthehet në ring më 11 prill, kundër Arslanbek Makhmudov

Tyson Fury kthehet në ring më 11 prill, kundër Arslanbek Makhmudov

Valon Nikqi, supervisor në ndeshjen e CEV VOLLEYBALL CUP 2026

Valon Nikqi, supervisor në ndeshjen e CEV VOLLEYBALL CUP 2026

Polici serb i arrestuar në Kosovë dyshohet për spiunazh për BIA-n, iu gjetën dokumente të IPA-s

Policia jep detaje për vdekjen e dyshimtë në Veternik

Pesë persona të vdekur nga stuhia e fuqishme në Portugali

Pesë persona të vdekur nga stuhia e fuqishme në Portugali

Amazon konfirmon shkurtimin e 16 mijë vendeve të punës

Amazon konfirmon shkurtimin e 16 mijë vendeve të punës

Vdekje e dyshimtë në Veternik

Vdekje e dyshimtë në Veternik

Aktivistja rikthen historinë e heronjve britanikë që shpëtuan familjen kosovare, reagon edhe Alicia Kearn

Aktivistja rikthen historinë e heronjve britanikë që shpëtuan familjen kosovare, reagon edhe Alicia Kearn

Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

Kosova pjesë e operacionit ndërkombëtar “Switch Off”, bastisje në Prishtinë dhe Dragash

Kongresmenja amerikane spërkatet me një substancë të panjohur gjatë një eventi në Minesota

Kongresmenja amerikane spërkatet me një substancë të panjohur gjatë një eventi në Minesota

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • ZGJEDHJET 2025
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën