Drejtori i Global Crisis Group, Ilir Kulla, në emisionin “Matrix” në Tëvë1, të moderuar nga Mehmet Kalisi, ka folur për protestat e studentëve në Shqipëri dhe ndikimin e tyre të mundshëm në procesin e integrimit evropian dhe organizimin e ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare.
Duke komentuar deklaratat se protestat mund të dëmtojnë integrimin evropian të Shqipërisë dhe organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare, përfshirë samitin e NATO-s, Kulla tha se problemet kryesore që rrezikojnë vendin janë korrupsioni, trafiku i drogës, varfëria dhe konfliktet sociale.
“Procesin e integrimit e rrezikon korrupsioni, trafiku ndërkombëtar i drogës dhe çdo poshtërsi tjetër që bëhet çdo ditë. E rrezikon varfëria, e rrezikon dhuna dhe konflikti social brenda vendit. Sigurisht që edhe ngjarjet që po ndodhin, të cilat kanë jehonë publike, mund të ndikojnë, por origjina nuk është aty. Origjina është diku tjetër dhe përgjegjës jemi të gjithë nga pak”, u shpreh Kulla.
Ai theksoi se, pavarësisht zhvillimit dhe interesit turistik për Shqipërinë, përfitimet ekonomike nuk janë të prekshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.
“Ju vetë e keni parë se sa e lartë është kostoja e jetesës në Tiranë. Kryeministri të mos na tregojë vetëm numrin e turistëve dhe se Shqipëria është një destinacion i bukur, sepse kjo është e vërtetë. Kemi zhvillim dhe ai është i dukshëm, por ky zhvillim nuk është i prekshëm për 90 për qind të popullsisë”, deklaroi ai.
Sa i përket organizimit të samitit të NATO-s dhe ngjarjeve të tjera ndërkombëtare, Kulla tha se organizimi i tyre nuk duhet të përdoret si argument për të anashkaluar problemet e brendshme të vendit.
“Ne do ta bëjmë samitin e NATO-s, ashtu siç kanë bërë edhe vende të tjera me ngjarje ndërkombëtare. Por, nëse kjo ndodh dhe ne nuk reflektojmë, atëherë duhet të kujtojmë edhe shembujt historikë”, tha Kulla.
Ai përmendi edhe Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1984, të mbajtura në Sarajevë, pesë vjet para fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, duke argumentuar se organizimi i ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare nuk është dëshmi se një vend nuk përballet me probleme të thella të brendshme.
Sipas Kullës, Shqipëria duhet të përqendrohet edhe në zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike, krahas organizimit të aktiviteteve ndërkombëtare.







