Rahoveci ka shënuar përvjetorin e masakrave të ndodhura në disa fshatra të saj.
Në Brestoc në 24-vjetorin e tyre, u kujtuan 5 dëshmorët dhe 49 martirët e këtij fshati.
Më 25 mars të vitit 1999 kishte ndodhur një nga masakrat më të tmerrshëm në Kosovë një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të fshatit bënë homazhe dhe nderuan dëshmorët dhe martirët që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Nga Brestoci, Latifi tha se ende presin të mësojnë për fatin e 9 të pagjeturve nga kjo masakër dhe uroi që të ketë angazhim shtesë institucional.
Ai tha se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve në të gjithë Kosovën ujit rrënjët e lirisë së vendit të fituar në qershor të ’99-ës dhe të kurorëzuar në shtet më 2008.
“Asgjë s’ka ndryshuar nga viti 2022, pra ende nuk kemi gjurmë, nuk kemi shenja, të të pagjeturve, përveçse kujtimet në mendjet dhe zemrat tona vijojnë të jetojnë dhe natyrisht ne sot bashkëqytetarët tanë, familjarët e martirëve, të të pagjeturve, familjarët e dëshmorëve, ndiejmë dhe dhimbje por njëkohësisht edhe krenari sepse pa gjakun e dëshmorëve, pa gjakun e martirëve dhe këto sakrifica e flijime Kosova nuk do të vinte në qershorin e vitit 1999 dhe Kosova po ashtu nuk do të vinte në 17 shkurtin e vitit 2008. Gjaku i martirëve, të Brestocit, i dëshmorëve, i martirëve dhe dëshmorëve, jo vetëm të komunës sonë por gjithandej në Kosovë është gjak që ujit rrënjët e lirisë e cila u fitua pas 78 ditëve bombardimesh nga ana forcave ajrore të NATO-s dhe natyrisht falë angazhimit, përkushtimit, sakrificës dhe veprës së luftëtarëve ë UÇK-së”, deklaroi Latifi.
Rahoveci sot shënon 24-vjetorin nga masakrimi i dëshmorëve dhe martirëve edhe në fshatrat Fortesë e Celinë.
Tahiri: Kurti nuk arriti ta vërë nën kthetra KPK-në
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili e rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Albin Kurti nuk arriti ta përvetësojë një institucion të rëndësishëm siç është KPK-ja, raporton teve1.info
Gjatë konferencës për medie, Tahiri tha se Kurti ka tentuar ta vendosë nën kthetra KPK-në, por se Kushtetuesja nuk e lejoi.
“Kemi pasur një debat jashtëzakonisht të gjatë dhe kemi kërkuar nga ministrja e Drejtësisë dhe kryeministri që ky projektligj të tërhiqet sepse si i tillë padyshim që nuk i përmbush standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe nuk mund të kalojë. Mbrëmë Kushtetuesja ka bërë publike që këtë ligj e ka nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e Kosovës, gjë që është lajm shumë i mirë për drejtësinë në Kosovë që pushteti i madh i Albin Kurtit nuk arriti ta vendosë nën kthetra edhe një institucion kaq të rëndësishëm siç është KPK-ja”, tha Tahiri.
Sipas tij, po të miratohej ky ligj do të ishte kapje e fuqishme e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kurti.
“Të ndodhte një miratim i një ligji të tillë, do të ishte një përmbysje apo një kapje e fuqishme e KPK-së që sot mund të jetë nga Albin Kurti e nesër nga një mazhorancë tjetër. Është një ligj që e cenon rëndë pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ky ligj nuk e ka pasur përkrahjen as të partnerëve tanë ndërkombëtarë që funksionojnë në Kosovë”, ka thënë ai.